Kryeministri, Zoran Zaev kërkoi nga Akademia e Shkencave mbështetje për marrëveshjen dhe referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit. Zaev tha para akademikëve se kjo marrëveshje garanton identitetin dhe gjuhën dhe me këtë vendi bëhet i barabartë me vende tjera të NATO-s dhe BE-së.

Me marrëveshjet e arritura, me reformat e brendshme dhe perspektivën që na hapet me përgjigjen e vërtetë dhe të vetme në referendum fitojmë mundësi të qarta dhe shtesë për zhvillim të përgjithshëm në Republikën e Maqedonisë- tha Zoran Zaev.

Kreu i Akademisë Taki Fiti i cili mbështetë marrëveshjen për emrin tha se e njëjta është kompromisi më i mirë i mundshëm, që sjell perspektivë euro-atlantike dhe zhvillim ekonomik, pavarësisht se gjatë negociatave ASHAM-i kishte kërkuar që emri me përcaktues gjeografik të vlente vetëm për përdorim ndërkombëtar. Fiti megjithatë tha se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë që Institucioni të cilin e drejton të mos e ndërrojë emrin.

Republika e Maqedonisë duke e pranuar Marrëveshjen me Greqinë dhe duke i përmbushur obligimet që dalin nga ajo ka mundësi historike që në mënyrë të përhershme ta sigurojë pacenueshmërinë e kufijve të saj dhe integritetit të saj territorial, t’i sigurojë çështjet e identitetit dhe atributet, gjuhën maqedonase, kombësinë, traditën, kulturën, që shpesh ishin kundërshtuar- deklaroi Taki Fiti, kryetar i ASHAM-it.

Ambasadori amerikan Xhes Bejli tha se më 30 shtator qytetarët kanë mundësi unike që ta sigurojnë të ardhmen që e duan.

E di se shumica e qytetarëve dhe prindërve në Maqedoni e shohin situatën tani dhe ata duan që fëmijët e tyre të jetojnë në atë demokraci të sigurtë, prosperuese, gjithëpërfshirëse. Ata duan ta shohin këtë tokë si vend shprese. Mendoj se ky është një moment unik në historinë e Maqedonisë të shfrytëzojnë këtë mundësi- tha Xhes Bejli.

Kryetari i parë i Kuvendit, Stojan Andov iu apeloi qytetarëve të vetëdijesohen dhe ta vlerësojnë marrëveshjen e arritur. Ai madje tha se lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski nuk do të mundte të arrinte marrëveshje më të mirë edhe nëse sot të bëhej kryeministër.

Ai do të negocionte me Kyriakos Micotakis dhe Kamenosin. Ata janë partnerët e tij. Kjo do të ishte katastrofë edhe për të edhe për vendin, sepse Micotakis nuk e ndjek politikën e babait të tij, ndërsa pikëpamja e Micotakisit dhe Kamenosit është se Maqedonia është greke dhe se emri i këtij vendi nuk guxon ta përmbajë termin “Maqedoni- pohoi Stojan Andov, kryetar i parë i Kuvendit të RM-së.

Gjatë debatit shkencor, shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov dhe ambasadori i Gjermanisë, Tomas Gerberih i apeluan opozitës për konstruktivitet. Të enjten në Shkup për vizitë do të qëndrojë Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Ves Miçel.

Anesa Aliti Saliu

Loading...

Shpërndaj me

Loading...