Opozita i ka dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë të gjitha vërejtjet ndaj propozim-Ligjit mbi Prokurorinë Publike. Ndonëse nga VMRO-DPMNE-ja nuk i bëjnë të ditura kërkesat, burime nga grupet e punës thonë se partia e Hristijan Mickoskit nuk ka lëvizur nga qëndrimet lidhur me fatin e Prokurorisë Speciale Publike dhe akuzat e ngritura nga ekipi i Katica Janevës.

Alsat mëson se VMRO-ja këmbëngul në kërkesën e saj për ndërprerjen e të gjitha akuzave të ngritura pas 30 qershorit 2017, respektivisht opozita thirret në Ligjin mbi PSP-në, dispozitat e të cilit i japin të drejtën ekskluzive Speciales që akuza të shtrojë deri në fund të qershorit të vitit 2017. Sa i përket fatit të Speciales, opozita kërkon që ky organ special i akuzës të funksionojë në kuadër të Departamentit për krim të organizuar dhe korrupsion, ndërsa ndryshimeve t’i bashkëngjitet edhe largimi i Katica Janevas dhe disa prokurorëve nga ekipi i saj. Dikasteri i Renata Deskoskës i ka cilësuar në kundërshtim me rekomandimet evropiane kërkesat e opozitës, duke shtuar se pranimi i tyre vë në pikëpyetje datën për bisedime me BE-në. Sipas Drejtësisë, dallimet kryesore mbeten akoma të theksuara duke shtuar se grupet e punës do të vazhdojnë derisa dallimet të tejkalohen. Jo zyrtarisht, grupet mbrojnë idenë që çështja të merr epilog si rezultat i takimit të liderëve. Javën e kaluar kryeministri Zoran Zaev dhe ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska kanë pritur në takim liderin e opozitës Hristijan Mickoski dhe negociatorin e opozitës, Toni Menkinovski. Burimet flasin për një takim të ngjashëm edhe ditën e premte, por shumica dhe as opozita nuk konfirmojnë një gjë të tillë.

Adrian Kerimi

Loading...

Shpërndaj me

Loading...