Edhe 115 dyqane në Çarshinë e vjetër të Shkupit do pajisen me vitrina të reja, ndërsa pamje të re do marrin edhe 38 dyqane në çarshinë e Manastirit dhe shtatë në atë të Ohrit. Ministria e ekonomisë e vazhdoi projektin që e filloi qeveria e kaluar. Deri në fund të vitit të ardhshëm është paraparë të rinovohen gjithsej 160 vitrina të dyqaneve në këto tre çarshi për çka janë paraparë 16.5 milionë denarë. Edhe pse me këtë projekt është përfshirë edhe çarshia e Strugës, deri tani asnjë nga dyqanxhinjtë e atjeshëm nuk është interesuar dhe nuk ka aplikuar për ta shfrytëzuar këtë mundësi që jep Qeveria.

Edhe pse projekti përfundon, ne jemi të gatshëm çdo aplikim dhe interesim që do e tregojnë dyqanxhinjtë dhe Çarshia në Strugë apo kudo qoftë në Maqedoni, t’i pranojmë edhe ato, ndërsa në buxhetin e ardhshëm do t’i përfshijmë në këtë projekt- deklaroi Kreshnik Bekteshi.

Kryetari i Çairit, komuna përmes së cilës realizohet ky projekt në Shkup, theksoi se do angazhohet në ruajtjen e autenticitetit të Çarshisë.Që nga fillimi i projektit në vitin 2015, deri më tani vitrina të reja në Çarshinë e Shkupit kanë vetëm 11 dyqane. Një pjesë e dyqanxhinjve që ende i kanë vitrinat e vjetra autentike thonë se nuk do të aplikojnë për vitrina të reja, pasi siç thonë, turistët tërhiqen me mirësjellje.

Kjo varet nga mirësjellja e zejtarëve, vitrina nuk e bën konsumatorin të hyjë brenda. . turistët nuk duan qendra të reja tregtare sepse ata i kanë më të mira se tonat. Nëse shkoni në Egjipt, në Kajro, të gjithë e kërkojnë tregun “Khan Khalili”. Askujt nuk i intereson qendrat tregtare- thotë një dyqanxhi.

Sipas marrëveshjes që sot u firmos në Ministrinë e ekonomisë, komunat këtë projekt duhet ta realizojnë për një vit, ndërsa paratë që eventualisht do të mbeten do duhet të kthehen në buxhet. Asnjë nga dyqanxhinjtë nuk është i detyruar të investojë mjete personale.

Aleksandra Spasevska

Shpërndaj me