Sunny Hill, festivali ndërkombëtar i muzikës që mbahet në Parkun e Gërmisë më 10, 11 dhe 12 gusht, do të mbledh shumë yje botërore e vendore.

Dukagjin Lipa, organizatori i këtij festivali për emisionin “Prite të Gjelbrën” ka dhënë më shumë detaje rreth këtij festivali.

Sipas tij, që nga dita e sotme fillon ardhja e mysafirëve ndër të cilët Action Bronson, reperi i njohur i cili arrin sot në Prishtinë, për t’iu bashkuar emrave të mëdhenj të muzikës, ku do të mbajë konferencë për media.

Lipa ka thënë se më 10 gusht, nga ora 12:30 fillojnë aktivitetet e shumta, të cilat ndahen në disa arena, fillimisht në pishinë, food court dhe sunny chill. Sipas tij fillojnë me performanca akustike dhe bende vendore, pjesa e heronjve lokalë përfundon me Jerichon dhe Oda, për të vazhduar pastaj me Grace Carter dhe Stanaj, dhe në fund me Dua Lipën që fillon nga ora 00:30.

Aktivitetet e natës së dytë, fillojnë me hiphop artistat në mainstage: si Ledri Vula, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lyrical Son, Lumi B, Buta, pastaj Gashi dhe Col3trane. Nata e tretë do të ketë muzikë elektronike, ku do të performojnë Dj vendor dhe ndërkombëtar si: Bondax, SG Lewis.

Aktivitetet e natës së tretë përfundojnë me Martin Garrix, Dj e njohur ndërkombëtar i cili do të performojë 90 minuta vetëm në Prishtinë, gjë që sipas Lipës nuk ka ndodhur më herët në festivale tjera.

Dukagjin Lipa ka thënë se nuk ka financa prej shtetit dhe se përmes këtij festivali po promovohet shteti dhe rinia e Kosovës.

Po mendoj qe jemi duke ia arritur qëllimit, për me mujt me e paraqit Kosovën dhe të gjithë ne që jetojmë këtu. Si popull që nuk jemi të interesuar për konflikte, si popull paqedashës, si popull që jemi të interesuar me ec përpara”, ka thënë Lipa.

Ai tregoi se kanë mbet edhe rreth 3 mijë deri 4 mijë bileta për shitje. Biletat për Sunny Hill Festival mund të blihen online, nga e gjithë bota në www.sunnyhillfestival.com, në Shqipëri në gjitha pikat e Easy Pay, në rrjetin e shitjes Ria / Vllesa Co në gjithë Kosovën, si dhe në pikat fizike të shitjes të festivalit sikurse ajo në sheshin Zahir Pajaziti, në Albi Mall dhe shumë vende tjera publike.

Çmimet e biletave për tre ditë të festivalit fillojnë prej 40 euro, ose me mesataren ditore prej 13.3 eurove. Festivali ka karakter humanitar, sepse 25 për qind e të hyrave neto që mbesin nga festivali do t’i dhurohen organizatave kosovare që kujdesen për zhvillimin e fëmijëve kosovarë, posaçërisht atyre me nevoja të veçanta./KP.com

 

Shpërndaj me