Ndryshe nga e kaluara, kur pas zgjedhjeve parlamentare ishin shënuar vonesa të theksuara në konstituimin e institucioneve qendrore, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit të 6 tetorit, analistët politikë në Prishtinë nuk parashikojnë se do të ketë vonesa të mëdha.

Bazuar në rezultatin preliminar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të cilat kanë fituar më së shumti vota, pretendojnë që të krijojnë së bashku qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Të dy partitë fituese kanë paralajmëruar nisjen e negociatave për formimin e qeverisë. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme është paralajmëruar se përfaqësuesit e të dy partive do të takohen për të nisur negociatat rreth formimit të institucioneve të reja.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në bazë të rezultatit të zgjedhjeve pritet të jetë mandatari i ardhshëm për kryeministër të Kosovës, ka paralajmëruar për nisjen e bisedimeve me LDK-në qysh nga e enjtja.

Në zgjedhjet e fundit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani janë parë si dy figurat kryesore për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Ndërkaq tani kur rezultati zgjedhor e favorizon liderin e Vetëvendosjes, Osmani është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me Kurtin për krijimin e qeverisë së koalicionit.

“Koalicioni LDK-LVV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...