Sot, në moshën 86 vjeçare, u nda nga jeta ikona e muzikës shqipe Nexhmije Pagarusha. Bilbili i muzikës shqipe, do të kujtohet gjithmonë përmes zërit të saj të rrallë që shpesh është krahasuar me yje të mëdha botërore.

Pagarusha u lind më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë, ndërsa shkollën e muzikës e përfundoi në Beograd. Gjatë veprimtarisë së saj artistike “Bilbili i Kosovës” asnjëherë nuk la pas dorë muzikën e mirëfilltë shqipe. Me zërin e saj të rrallë, në vitet e rinisë ka interpretuar edhe vepra të përkthyera nga Bethoven, Verdi e shumë kompozitorë veprat e të cilëve kanë hyrë në histori. Nexhmije Pagarusha sot la pas thesarin me më shumë 150 këngë të qëndisura me zërin që ka pushtuar shpirtrërisht shumë breza. Kryevepra me të cilët do të identifikohet gjithmonë është ”Baresha”, të cilën e ka kompozuar bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi.

Gjatë karrierës së saj ka mbajtur koncerte në vende të ndryshme të botës, si në Izrael, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kosovë e Shqipëri. Bashkëpunëtorët e saj vinin në pah gjithmonë përpikërinë e saj, duke e vlerësuar si grua shumë të saktë, sepse asnjëherë nuk ishte vonuar në koncerte apo prova. Përveç muzikës ajo ka qenë edhe aktore. Mbretëreshën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, në 2018- të, e pati dekoruar me medaljen e “Mirënjohjes”, edhe Presidenti i amerikan Donald Trump. Çmimi i mirënjohjes iu akordua këngëtares Pagarusha përmes propozimit të një Akademie në Florida, i cili është çmim periodik vjetor që firmoset nga Presidenti amerikan për Personalitete që kanë impakt mbi njerëzit dhe shoqëritë e tyre, konkretisht në fushën e artit. Varrimi i ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha do të bëhet në vendlindjen e saj në Pagarushë të Malishevës. Familjarët e saj kanë thënë për mediat në Kosovë se amaneti i Pagarushës ka qenë që ceremonia e varrimit të mbahet vetëm me familjarët e ngushtë dhe pa praninë e mediave. Ngushëllimet për ndarjen nga jeta të së madhes Nexhmije Pagarusha kanë shprehur edhe shumë personalitete nga të gjitha trevat shqiptare.

Evi Shkopi

Loading...

Shpërndaj me

Loading...