Ekonomia e Turqisë u rrit me 0,9 % mbi bazë vjetore në tremujorin e tretë, duke shënuar rritjen e parë pozitive për vitin 2019.

Instituti turk i Statistikave (TurkStat) tregoi se në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2019, PBB-ja u rrit me vetëm 0,4%.

Analistët kishin pritur një rritje të PBB-së prej 1,1 % për periudhën korrik-shtator.

Të dhënat treguan se rritja e tremujorit të dytë ishte më e dobët nga sa ishte raportuar më parë.

TurkStat theksoi se midis prillit dhe qershorit, rritja tre mujore ishte 1%, ndërsa më parë ishte raportuar të ishte 1,2 %.

Ekonomia e Turqisë shënoi ngadalësim gjatë verës, kryesisht për shkak të rritjes më të ulët të konsumit.

Shpenzimet e familjeve në tremujorin e tretë u rritën me 1,9 %, ndërsa shpenzimet e konsumatorit regjistruan 3,4 % në tremujorin e dytë.

Rritja në tremujorin e tretë u nxit nga rritja e 3,8% në sektorin e bujqësisë dhe 1,6% në industri, por sektori i ndërtimit shënoi rënie me 7,8%.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...