Gazeta e njohur britanike ”The Telegraph” i ka kushtuar Kosovës, që feston sot 10-vjetorin e pavarësisë, një shkrim të gjatë , ku nënvizon 13 fakte, sipas saj, magjepsëse, për shtetin më të ri të Evropës.

”A e njihni Kosovën, pjesën më misterioze të Ballkanit?”, pyet ”The Telegraph”.

”Më poshtë keni 13 copëza të çmuara faktesh që mund të hedhin dritë…”, thekson gazeta.

1 – Kosova njihet nga 111 shtete

Kosova e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 17 shkurt 2008. Serbia nuk e njohu dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka mohuar në mënyrë të përsëritur ekzistencën zyrtare të Kosovës. Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB) e kanë njohur të dyja Kosovën si një entitet të pavarur, respektivisht në korrik 2008 dhe korrik 2009, ndërkohë që 111 nga 193 vende anëtare të OKB-së e njohin atë tashmë si një shtet të pavarur.

Të mërkurën, ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel deklaroi se Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, nëse kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

2 – Britania e Madhe e njohur menjëherë Kosovën

Tetë vende e njohën menjëherë pavarësinë e Kosovës (apo të paktën një ditë më vonë, më 18 shkurt 2008). Britania e Madhe ishte një prej tyre së bashku me Afganistanin, SHBA, Turqinë, Kosta Rikën, Shqipërinë, Francën dhe Senegalin.

3 – Fluturimet drejt Kosovës mundësohen nga aeroportet britanike

Duhet ta keni parasysh këtë nëse dëshironi të shkoni në Kosovë, si fillimi i një turi të gjerë në vendet e Ballkanit. Ju mund të fluturoni drejtpërdrejt nga Britania e Madhe. Fluturimi pa ndalesa nga Britania e Madhe drejt aeroportit ”Adem Jashari” kryhet nga kompania e specializuar e fluturimeve për Evropën Lindore ”Wizz Air” (0330 977 0444; wizzair.com), që kryen fluturime nga Luton më shumë se tri herë në javë.

4 – Kosova është zemra e rajonit

Edhe një shikim i shpejtë i hartës së Ballkanit ju jep një indikacion se pse statusi i Kosovës është kaq problematik për disa. Ndërkohë që nuk është shumë e madhe, rreth 10 908 kilometra katrore, gati sa Xhamajka, Kosova është qendra e rajonit. Fqinjët e saj janë Shqipëria në perëndim, Maqedonia në jug, Mali i Zi në veriperëndim dhe Serbia në veri. Në terma gjeografike, Prishtina është më afër kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup, (92 kilometra) sesa kryeqytetit të Serbisë, Beograd (248 kilometra).

5 – Një burim rinie

Edhe pse është kryeqyteti i Kosovës, Prishtina nuk është një qytet i madh. Ajo ka rreth 200 000 banorë. Megjithatë, Prishtina është qyteti i dytë më i madh në botë ku flitet shqip, pas kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës. Prishtina është vendi i një bumi demografik të rinisë, me moshë mesatare 25 vjeç.

Në të gjithë Kosovën, mosha mesatare është 27,8 vjeç, më e ulëta e çdo kombi evropian. Kosova është vendi më i ri i kontinentit në shumë pikëpamje.

6 – Prishtina vendlindja e një figure të famshme

Ajo nuk është 25 vjeçe, ajo mbushi 27 vitin e kaluar dhe nuk jeton më atje, por ylli i muzikës pop, Rita Ora na përshëndet nga Prishtina. Ajo u lind atje më 26 nëntor 1999. Familja e saj shkoi në Londër një vit pas lindjes së Ritës.

7 – Hyjnesha në Fron është shumë e vjetër

Hyjnesha në Fron është një figurinë terrakote, që u gjend në vitin 1956 në vendin e njohur si Tjerrtorja. Kërkimet arkeologjike sugjerojnë se mosha e saj është mbi 6 000-vjeçare. Në Muzeun Arkeologjik të Prishtinës ka artefakte edhe nga epokat ilire, romake dhe otomane.

8 – Një nga monumentet e qytetit është shumë i veçantë

Pasi keni ecur në shëtitoren ”Luan Haradinaj” dhe ndodheni pranë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ju përballeni me një nga monumentet më të famshme të Prishtinës. Monumenti literal ”Newborn” u përurua më 17 shkurt 2008. Ai u ridekorua ekzaktësisht një vit më vonë. Në vitin 2013, germat e tij gjigante u vizatuan me flamurët e të gjitha vendeve që kishin njohur Kosovën.

9 – Monedha vendase është e njohur

Pavarësisht se nuk është anëtare e BE-së, monedha zyrtare e Kosovës është euro. Përdorimi i saj ka ekzistuar që në vitin 2002, gjashtë vite përpara shpalljes së pavarësisë. Pjesërisht, kjo mund të quhet një deklaratë politike për të ndarë Kosovën nga Serbia, që përdor dinarin. Në Jugosllavinë e shkatërruar nga luftrat, ka qenë shumë i përhapour edhe përdorimi i dollarit amerikan dhe markës gjermane. Një kafe në Prishtinë kushton rreth një euro.

10 – Ju mund të pini verë kosovare

Ndoshta ajo nuk mund të shqetësojë ende, në një të ardhme të afërt, njohësit e verërave të Bordosë apo somelietë e Parisit, por vera kosovare po e tregon veten si një interes i veçantë vitikulturor. Pjesa më e madhe e vreshtave nga dalin ”Pinot noir”, ”Merlot” apo ”Chardonnay” ndodhen në Rahovec, në jugperëndim të vendit. Verërat eksportohen në Gjermani dhe SHBA. Prodhuesi më i madh i tyre është ”Stone Castle” (stonecastlewine.com).

11 – Ju mund të bëni ski në Brezovicë

Ashtu si pjesa më e madhe e Ballkanit, Kosova ka malet e saj nga ku mund të bëhet edhe ski. Zona më e madhe turistike për ski është Brezovica, në jug. Ajo ka 10 teleferikë të vegjël dhe rreth 12 kilometra pista skish. Ajo nuk ofrohet ende nga operatorët kryesorë të tureve turistike, por është afër Prishtinës, vetëm rreth 45 kilometra.

12 – Një lumë kalon përmes saj në dy drejtime

Konturet shkëmbore të Kosovës të japin një pamje të rrallë dhe të çuditshme gjeografike. Kosova është vendi i shembullit të vetëm në Europë i një lumi të bigëzuar, që quhet Nirodima, që derdhet në Egje dhe Detin e Zi. Ujërat e tij nuk janë vetëm të Kosovës. Maqedonia dhe Greqia përshkohen nga një degëzim dhe Serbia, Bullgaria dhe Rumania nga degëzimi tjetër. Por, ky lumë rrjedh nga mali i Nirodimës, që siguron burimin e lumit.

13 – Operatorë të ndryshëm turistikë ua tregojnë juve Kosovën

Edhe pse ende e pavlerësuar si destinacion, Kosova nuk është e panjohur për ata që do t’ua ofrojnë atë. Specialist për Ballkanin, Regent Holidays (020 3553 6563; regent-holidays.co.uk) ju ofron turin tetëditor “Essential Kosovo”. Explore (01252 883 613; explore.co.uk) ofron ture dyjavore ”Undiscovered Balkans” përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë. ”Exodus Travels” (020 3553 1497; exodus.co.uk) ofron turin “Snowshoeing in Kosovo, Albania & Montenegro”, tur tetëditor.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...