Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerësoi strategjinë e re për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si një përpjekje të BE-së për të rritur përkushtimin dhe nxitur reformat e shteteve të rajonit për anëtarësim në BE.

Ai theksoi se Kosova urgjentisht duhet të tejkalojë gjendjen e izolimit, duke ratifikuar marrëveshjen për vijën kufitare me Malin e Zi, e cila sjell edhe heqjen e vizave për qytetarët tanë nga BE-ja.

Në një postim sot në rrjetin social Facebook, një ditë pas publikimit nga Komisioni Europian të strategjisë së re për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, Thaçi shprehet se “e mirëpres hartimin e këtij dokumenti strategjik, i cili e trajton Kosovën si pjesë integrale të planeve për zgjerim të Bashkimit Evropian”.

Megjithatë, vijon ai, për arsye të njohura politike, fatkeqësisht, ky dokument nuk ka arritur të paraqesë një perspektivë të anëtarësimit gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjitha vendet e rajonit.

“Në veçanti, kjo strategji ka dështuar të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës në BE”, tha Thaçi.

Sipas tij, kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, respektivisht e paaftësisë së BE-së për një qëndrim unik për Kosovën. Por, Kosova nuk do të zhytet në dëshpërim.

“Ne duhet ta shfrytëzojmë potencialin e plotë të kësaj strategjie për të avancuar pozicionin tonë në rrugën drejt anëtarësimit, për zbatimin e reformave të nevojshme evropiane dhe për të përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja”, nënvizon Thaçi.

Ai shprehet se “na mbetet që të punojmë çdo ditë me përkushtim për të mënjanuar çdo barrierë politike, në mënyrë që të realizojmë aspiratën tonë për integrime euroatlantike”.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...