Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kanë reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili e quajti masakrën e Reçakut “një trillim”.

Presidenti Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Twitter tha se “paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”

“Disa zyrtarë nga Serbia mohojnë disa nga krimet më të rënda kundër civilëve që ndodhën në Evropë, sikurse ishte Reçaku, të konfirmuara edhe nga Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish- Jugosllavi. Politikat serbe të gjenocidit nuk mund të mbrohen”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se “është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja”.

Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se sa i përket Reçakut në vitin 1999 “bëhet fjalë për krim të trilluar, dhe se gjithçka ishte trillim i një mashtruesi, siç është William Wolker”.

“Këtë do ta përseris çdo ditë dhe të shohim se kush do të na gjykojë”, tha Vuçiq.

Ai e bëri deklaratën, pasi u pyet nga gazetarët, që të komentojë dënimin me 2 vjet burg nga ana e një Gjykate në Prishtinë, të ish-ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq.

Gjykata e shpalli fajtor politikanin serb për një deklaratë të bërë në mars, me rastin e 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë. Me atë rast, Teodosijeviq tha se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe.në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish – shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...