Temperatura 35 gradë e shënuar në termometër është paralajmërimi i parë për rrezik të përhapjes së zjarreve në ambiente te hapura. Kështu thonë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim prej ku tashmë një muaj janë në gjendje gatishmërie të ndonjë fatkeqësie natyrore. Siç thonë nga ky institucion, në autostradat ku krijohen kolona makinash kanë vendosur mjete zjarrfikëse dhe të ambulancës ndërkohë që përmes konkurseve dhe trajnimeve ndërkombëtare po përpiqen të tërheqin kuadër për këtë veprimtari që vitet e fundit duket se nuk po shfaq interes të mjaftueshëm tek të rinjtë.

Drejtoria ka rritur shkallën e përgatitjes në nivelin e verdhë që nënkupton se duhet të presim dhe të jemi të përgatitur e të organizuar. Në ndërkohë janë përgatitur, azhuruar, plotësuar të gjitha forcat republikane. Kemi pak probleme me ekipet për përgjigje të shpejtë. Po përpiqemi që përmes atyre përgatitjeve të vendosen njerëz në ato ekipe, sepse aty ka nevojë për njerëz të shëndetshëm dhe të rinj, persona të aftësuar për veprimtarinë e caktuar. Në 99 % të rasteve, shkaktar i zjarreve është njeriu, kjo është tashmë e konfirmuar dhe gjithmonë ndodhë nga pakujdesia, ndonjëherë nga kureshtja, ndonjëherë nga të sëmurët, ka edhe piroman”- tha Sllobodan Vukoviç, Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim.

Në gjendje gatishmërie është edhe Qendra për Menaxhim me Kriza ndërkohë që nga Enti hidrometeorologjik thonë se I nxehti përvëlues do të vazhdojë të na shoqëroj edhe për një javë të plotë duke shtuar se temperaturat në vend do të arrijnë deri në 38 gradë celsius.

Temperatura maksimale nuk do të ketë rritje drastike, respektivisht do të lëviz prej 31 deri në 38 gradë celsius. Kryesisht do të kemi mot me diell dhe të nxehtë mirëpo, për disa ditë, diku ose 8 ditë do të kemi sërish mot të ndryshueshëm me reshje shiu, bubullima dhe erë të fortë që nënkupton se nuk kemi stabilizim të plotë të motit në vendin tonë”- deklaroi Dushanka Tanushevska, sinoptikane.

Instituti i Shëndetit publik madje ka rekomanduar që nga ora 10 deri në orën 17 kur është periudha më e ngrohtë e ditës, qytetarët të evitojnë aktivitet e rënda fizike, duke përfshirë edhe sportin dhe aktivitetet rekreative, të konsumohet sasi e madhe e lëngjeve dhe ushqim I lehtë, dhe të qëndrohet në hapësira të mbyllura të klimatizuara në temperaturë prej 23 deri në 25 gradë.

Melihate Rustemi 

Loading...

Shpërndaj me