Shoqata e Bankave të Maqedonisë kërkon nga Qeveria që reformën e njoftuar tatimore për të ardhurat e interesit, nga depozitat e qytetarëve, ta shtyjë deri në hyrjen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Bankierët besojnë se vetëm kështu do të ruhet prirja pozitive e kursimit, por gjithashtu do të sigurohet kapital i freskët për ekonominë. Nga sektori bankar thonë se një reformë e tillë kërkon një debat më të gjerë dhe në letrën dërguar mediave, ata thanë se do të kërkojnë takime në Ministrinë e Financave për të paraqitur qëndrimet e tyre në detaje.

Shoqata e Bankave të Maqedonisë:

…Sa i përket tatimit progresiv, ne vlerësojmë se nevojitet një debat më i gjerë për shkak të avancimit të propozimit duke përfshirë përvoja pozitive nga vendet ku tashmë është zbatuar.”

Nga Ministria e Financave mbeten në qëndrimin se ndryshimi në politikën tatimore që do të reflektohet në depozitat e kursimeve të qytetarëve, nuk do të ndikojë negativisht në sektorin bankar. Qytetarët do të vazhdojnë të kursejnë dhe nuk do të ketë ngritje masive të parave të kursyera, sigurojnë nga financat. Përveç që ekspertët nuk pajtohen me këto pohime të pushtetit, njohësit e kësaj çështjeje e theksojnë edhe një dilemë tjetër. Përkatësisht, rregullat e reja do ta problematizojnë dhe komplikojnë procedurën nëse një person i njëjtë ka depozita kursime në disa banka dhe a do të paguhet tatimi në muaj apo në vit?

Zgjidhja e vetme në këtë kontekst, veç nëse nuk shkohet në një aventurë me softuer të shtrenjtë, do të ishte në fund të vitit, përmes secilës llogari që është në kuadër të DAP-it, nëpërmjet formës elektronike të llogaritjes, vet nëse e depërton shumën prej 15,000 denarësh, të marrë vendim për pagesë shtesë, për tatimin personal të të ardhurave nga normat e interesit.” – theksoi Pavle Gacov, ekspert i tatimeve

Reforma e tatimit parashikon që me 15% të tatohet interesi për depozitat e kursimeve të afatizuara prej shumës 15,000 denarë. Kjo do të thotë se në rast se një familje në një bankë ka një depozitë kursimi prej 30 mijë eurosh me një normë mesatare prej 1% në vit, kjo familje do të kishte interes ose fitim prej 300 eurove në vit. Sipas tatimit progresiv, për fitime deri në 250 euro nuk do të llogaritet tatimi, ndërsa 50 eurot e mbetur do të tatohen me 15 për qind. Këtë reformë qeveria planifikon ta fillojë në vitin 2020.

Ile Petrevski

Loading...

Shpërndaj me