Ligji për subvencionimin e kontributeve për rrogat do të miratohet me vonesë pasi edhe më tej është në procedurë parlamentare. Edhe pse ligji pritej të fillojë më 1 nëntor dhe rritja të nis me pagën e tetorit, ligji në fjalë është vendosur në seancë plenare në Kuvend, më 5 nëntor. Nga Shoqata e punëdhënësve thonë se politikanët në vend që të kenë prioritet ekonominë, merren me gjëra tjera.

Është e qartë se nëse në Kuvend vonohet pasi duhet të miratohet edhe akti nënligjor, atëherë duam apo jo, do të nis të zbatohet nga paga e nëntorit apo nga 1 dhjetori – tha Angell Dimitrov, kryetar i Organizatës së punëdhënësve.

Për rritjen e ardhshme të pagës minimale, Dimitrov shprehet se pushteti nuk i merr seriozisht apelet e kompanive të vogla, që për shkak të kësaj rritje, do të ballafaqohen me rrezikun ku madje edhe mund të mbyllen.

Ka reagime të mëdha nga kompanitë më të vogla nga industria e tekstilit, sidomos në pjesën lindore të Maqedonisë, që tashmë detyrohen t’i mbyllin. Nga ana tjetër, po të njëjtat kompani kur ishte paga minimale 9650 denarë, reaguan edhe për rritjen kur u bë 10.050 denarë, reaguan kur u bë 12 mijë denarë. Kështu që, reagimet e tyre Qeveria nuk i merr seriozisht sepse mendon që do të jetë vetëm blof – u shpreh Angell Dimitrov, kryetar i Organizatës së punëdhënësve.

Ndërsa, për mbrojtjen e interesave të tyre, punëdhënësit sot formuan Shoqatë për mbrojtjen e të drejtës sociale dhe të punës. Prioriteti i tyre do të jetë ligji i ri për marrëdhënie pune sepse ligji aktual, siç thonë, nuk është funksional dhe nuk është në pajtueshmëri me rregullativat e BE-së.

Andrea Çobanova

Loading...

Shpërndaj me

Loading...