Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pas më shumë se tre muaj negociatash nuk po arrijnë të formojnë qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit.

Dështimi për formimin e qeverisë së re nuk po shihet mirë as nga studentët e Universitetit të Prishtinës, një grup i të cilit kanë protestuar sot para objektit të Kuvendit të Kosovës me moton ”Boll luajtët me këtë popull”.

Studentët kërkuan me këtë rast që partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit që t’i anashkalojnë interesat e tyre dhe të mendojnë edhe për qytetarët, duke formuar sa më shpejt institucionet e reja të vendit, për t’i dhënë fund ngërçit politik të krijuar tash e sa kohë.

Grupi i studentëve para objektit të Kuvendit u ndalua nga Policia e Kosovës, por kjo nuk i pengoi ata që të vazhdojnë protestën.

Bekim Ibishi, student në Fakultetin Filozofik, tha se Policia e Kosovës po e ndal aktivizmin studentor i cili tenton parandalimin e zbrazjes së Kosovës nga të rinjtë. Ai shtoi se Kosova po rrezikon që të përballet edhe një largim të mundshëm të të rinjve drejt vendeve tjera.

“Prej marsit, çdo i ri që ka mundësi, çdo i dijshëm, çdo njeri që ka potencial Gjermania na e ka dhënë një mundësi, që për t’u kualifikuar në Gjermani, ne do të ikim që të kualifikohemi. Klasa e njerëzve të mirë do të ikë, për këtë arsye edhe vendi është rrugës së kolapsit dhe nëse nuk votohet buxheti do të ketë edhe trazira edhe më të mëdha. Jo vetëm bullizmi që kemi për t’ju bërë në rrugë përfaqësuesve të popullit, por do të provojmë edhe forma të tjera”, u shpreh ai.

Në fund studentët vendosën edhe një mbishkrim “Boll luajtët me këtë popull”.
Studentët paralajmëruan se nuk do të ndalen dhe se do të vazhdojnë prapë me protesta të tilla.

Protesta e studentëve ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...