Vazhdimësia e Santiago Solarit në Real Madrid nuk është e garantuar. Edhe pse pasi mori frenat e ekipit të parë, argjentinasi vendosi nënshkrimin e tij në një kontratë afatgjatë (deri në qershor të vitit 2021), do të jenë pikërisht rezultatet ato që do ta përcaktojnë nëse Solari do të mbijetojë në pozitën që mban. Sipas mediave spanjolle bordi i klubit madrilen ende nuk është i vendosur se kush do të jetë trajner i skuadrës në edicionin e ardhshëm. Sigurisht se Florentino Perez dhe pjesa tjetër e drejtuesve të Realit mendojnë se në mesin e kandidatëve të mundshëm nuk ka vend për Jose Mourinhon, trajner i cili u shkarkua javë më parë nga Manchester Unitedi dhe të cilin shumë media e lidhnin me një rikthim të mundshëm në “Bernabeu”. Duket se dëshira më e madhe është edhe më tutje Mauricio Pochettino. Edhe pse ish-trajneri i Espanyolit dhe Sauthamptonit kurrë nuk e ka fshehur vlerësimin e tij për Realin, largimi i tij nga Tottenham është shumë i komplikuar. Në fakt, presidenti i Spurs, Daniel Levy, tashmë e ka bërë të qartë në shumë raste se ai do ta prishë kontratën me të vetëm nëse merr një ofertë prej 30 deri 40 milionë €.

Loading...

Shpërndaj me