Qytetarët tashmë do të kenë mundësi që për më së paku 2000 euro të vendosin panele për sisteme solare për prodhimin e energjisë elektrike. Përveç qytetarëve mundësi për vendosjen e këtyre sistemeve do kenë edhe ndërmarrjet dhe bizneset e ndryshme të cilat Qeveria i subvencionon ndërsa subvencionimi për momentin nuk vlen edhe për qytetarët. Pronari i shtëpisë që ka vendosur centralin e parë foto-voltaik shpreson që sistemi të jep efektet e duhura dhe të ketë mundësi më të madhe për kursimin e energjisë.

Unë si pronar i paletës së parë fotovoltaike për amvisëri dua ta shpreh kënaqësinë time dhe ti falënderohem EVN-së për profesionalitetin, për angazhimin vërtet të madh dhe kushtet që i ofron që si amvisëri të jemi pronar të një projekti të këtillë. Shpresoj sinqerisht që kursimet që do i bëj me prodhimin e energjisë elektrike nga energjia solare do të jenë të mëdha dhe do ndihmojnë në buxhetin familjar dhe në planifikimin e përpjekjeve tona në të ardhmen – u shpreh Aleksandar Zaevski, pronar i shtëpisë.

Nga Evn Maqedoni thonë se për vendosjen e këtyre sistemeve punon një grup ekspertësh të cilët ofrojnë mundësi të ndryshme varësisht nevojave të qytetarëve. Nga EVN thonë se investimi është individual dhe varet nga karakteristikat e objektit dhe energjisë së kërkuar.

 Kemi ekip prej ekspertëve profesionist që me njohuritë e tyre mund të ofrojnë zgjidhje individuale për të gjithë personat e interesuar. U apeloj të gjithëve që ti shfrytëzojnë përfitimet që i kemi në vendin tonë me qëllim që të zvogëlojnë harxhimet e tyre dhe të kursejnë dhe një pjesë të energjisë elektrike ta kthejnë në rrjet. Ofrojmë mundësi dhe zgjidhje specifike për të gjithë të interesuarit për nevojat e tyre – deklaroi Sasho Stojkovski, bordi drejtues i EVN.

Nga ana tjetër kryeministri Zoran Zaev, i pranishëm në prezantimin e projektit, deklaroi se përmes Ligjit të ri për Energjetikë, qytetarëve ju ofrohet mundësia për prodhimin e energjisë elektrike dhe të njëjtën ta shesin në tregun e lirë. Zaev thotë se qëllimi i Qeverisë është që të zvogëlohet importi i energjisë dhe të rritet prodhimi vendor. Me instalimin e paneleve solare për prodhimin e energjisë, në vit një amvisëri mund të mbuloj mbi 30% nga konsumi i përgjithshëm vjetor i energjisë elektrike.

Elmedina Aliji 

Shpërndaj me