Drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë Apostoll Simovski, në një intervistë për Alsat beson se regjistrimi i popullsisë i paraparë për vitin 2020 do të kalojë pa ndikime politike. Ai thotë se kjo është edhe njëra ndër arsyet pse kërkon që në regjistrim të mos ekzistojë grafa për përkatësinë etnike të qytetarëve. Për dallim nga regjistrimi i dështuar i vitit 2011, këtë herë thotë Simovski do të regjistrohet edhe diaspora, konkretisht personat të cilët mungojnë në vend më gjatë se 1 vit.

Z.Simovski, në rrjedhë janë përgatitjet për regjistrimin i paraparë për vitin 2020. A do të ketë përfundimisht regjistrim të popullsisë në Maqedoni dhe atë pa ndikim politik?

Regjistrim në Maqedoni patjetër të ketë. Nuk bëhet fjalë as për vullnetin tonë e as për diç tjetër, por është nevojë nga këto të dhëna, dhe duhet ta sigurojmë atë. Por, ajo që ishte problem për regjistrimin e fundit, ishte pikërisht ai ndikim politik, që e përmendët dhe të gjitha aktivitetet tona për këtë regjistrim kryesisht janë orientuar të shmanget çfarëdo mundësie nga ndikimi politik. Regjistrimi është operacion statistikor dhe patjetër të mbetet si i tillë”

Propozoni ndryshime në Ligj, në atë propozim e keni fshirë kolonën e përkatësisë etnike të qytetarëve. Pse jeni kundër kësaj?

Ajo që ju e përmendët rreth mos përfshirjes së përkatësisë etnike, si shënim në regjistrim është propozimi ynë. Ne vlerësojmë se në këtë mënyrë në regjistrim do ta shkurtojmë fushën e vetme interesante të politikës. Pra, politika në parim është e interesuar për këtë shënim më së shumti. Nëse e kuptojmë këtë, nuk do ketë më interes politika, që të angazhohet për ndonjë regjistrim që do t’i konvenojë disa subjekteve politike.

Por, kjo që ju e kërkoni të fshihet kolona, kishte reagime të ashpra në publik.

Po, kjo është një tabu temë. Ishte e pritshme, e dinim se do ketë reagime të tilla. Deri tani askush nuk ka përmendur diç të tillë në shtet. Kjo ishte për herë të parë, të përmendet një mundësi e tillë, dhe e them se nuk është qëllimi të dëmtohet ndonjë bashkësi etnike, e as të fitohet diçka plus. Thjeshtë të shmanget politizimi i regjistrimit, që të kemi tregues cilësor të regjistrimit që do t’i shërbejë të gjithëve”

A mendoni se kjo nuk do të ndikojë mbi ligjet tjera? Shumë ligje lidhen me atë element.

Por, ka mënyrë si të sigurohet ajo. Tani me sa di unë, me ndryshimet e fundit kushtetuese flitet për evidentimin e përkatësisë etnike në letërnjoftim etj. Pra, ka edhe hulumtime administrative si dhe mund të bëhen hulumtime të posaçme që do të vijnë deri te ky shënim. Ajo që deri tani është perceptimi, sepse e lamë këtë në debat publik, deshëm ta dëgjojmë publikun si do të reagojë në këtë propozim, ne nuk thamë se patjetër të jetë ashtu, dhe assesi ndryshe. E dhamë një propozim, dhe shpjeguam pse vlerësojmë ashtu, se duhet të jetë, sepse pohoj se vlerë të përdorur, si tregues regjistrimi, nuk ka, përveç për ato qëllime politike që i flitni edhe ju, zbatimi i disa ligjeve, të drejta të caktuara që dalin nga ato ligje dhe ngjashëm. Por, ato të dhëna mund të sigurohen edhe ndryshe.

Në çfarë mënyre?

Mund të sigurohen në mënyrë administrative, sot lëshohen letërnjoftime në gjuhë të ndryshme, kjo mundësi ekziston. Pra, kështu mund të sigurohen ato të dhëna. Mundet të bëhet hulumtim i posaçëm në temën ku na intereson vetëm ai informacion, që mos ta ngarkojmë vetë regjistrimin si të tillë. Për fat të keq publiku reagon negativisht në këtë. Për fat të keq konstatoj se ndjenja në publik është ende e tillë, që jemi të ndarë në këtë pyetje dhe secili mendon në drejtim të asaj se nëse nuk është ky shënim, mbaroi gjithçka nuk ka regjistrim. Ne e dhamë si propozim, mundësia të jetë ai shënim ekziston, për këtë në fund do të vendosin deputetët kur do ta miratojnë ligjin”

Z.Simovski si është paraparë të regjistrohet diaspora? Ishte një nga pengesat në vitin 2011?

Ishte pengesë e madhe edhe në vitin 2002 dhe 2011, sepse me atë ligj nuk u mundësua të përfshihen me regjistrim edhe personat që mungojnë në vend më gjatë se 1 vit. Këtë herë edhe këta persona do të përfshihen në regjistrim, pra do të regjistrohen, me atë që do të japim më shumë mundësi për regjistrimin e tyre. Fillimisht, para regjistrimit do të ketë 15 ditë para regjistrimit, do të ketë mundësi të vetë regjistrimit. Këta persona vetë të plotësojnë pyetësor regjistrimi, që do të jetë në faqen e internetit, dhe me një procedurë të hyjnë dhe ta plotësojnë. Pastaj i njëjti do të arkivohet tek ne në bazë. Pra, para regjistrimit, që të dimë kur të shkojmë në terren se në disa amvisëri ka persona që nuk janë prezent në vend. Mundësia e dytë do të jetë gjatë vetë regjistrimit anëtarë të amvisërive që janë këtu, të japin të dhëna për ata që janë jashtë vendit, edhe ata do të përfshihen. Dhe mundësia e tretë, sepse thamë që do të përdorim regjistra, baza të të dhënave, nga këto ku ka informacione për persona të caktuar që janë jashtë vendit, t’i marrim prej atje. Pra, është në interesin tonë, qëllimi ynë është të shohim cilindo njeri që është shtetas i Maqedonisë, dhe nuk është në vendin tonë, të përfshihet në regjistrim.

Shkëlzen Aqifi

Loading...

Shpërndaj me

Loading...