Turma që mundi të hynte në premierën botërore të filmit të Quentin Tarantinos, “Once Upon a Time in Hollywood”, në Festivalin e Filmit në Cannes, dha një duartrokitje 7-minutëshe në fund të njërit prej shfaqjeve filmike më të përfolura në festivalin prestigjioz.

“Ju faleminderit që jeni një audiencë e tillë fantastike për të parën herë që ne u paraqitëm para një audience”, ka thënë Tarantino para turmës së mbledhur pas shfaqjes së sekuencave të shkurtra, ku falënderoi studion, producentët dhe kastën.

Kjo ishte një përgjigje entuziaste për filmin, i nënti me radhë i Tarantinos dhe më i riu në Cannes që prej “Inglourious Basterds” në vitin 2009. Një çerekshekulli më parë ai fitoi “Palmën e artë” për filmin “Pulp Fiction”.

Ngjarja e “Once Upon a Time in Hollywood” sillet rreth yllit televiziv Rick Dalton (Leonardo DiCaprio) dhe kaskaderit të tij Cliff Booth (Brad Pitt), që çajnë rrugën e tyre në industri në Los Angelesin e vitit 1969.

Ky është një dedikim i Tarantinos për momentet e fundit të epokës së artë të Hollywoodit. Margot Robbie si Sharon Tate, Al Pacino, Kurt Russell, Timothy Olyphant, Dakota Fanning, Luke Perry dhe Margaret Qualley përbëjnë kastën e aktorëve. Filmi nga “Columbia Pictures” do të shfaqet në kinematë amerikane prej 26 korrikut.

Gjatë tërë Festivalit të Cannes mbajti mot i lig, por dielli u shfaq sërish kur u shtrua tepihu i kuq. Tarantino dhe kasta, përfshirë aktorët DiCaprio, Pitt, Robbie dhe Dakota Fanning, u duartrokitën nga turma që i shikonte teksa ata u shfaqën në ekranin gjigant dhe, siç është zakon, nënshkruan autografe për fansat.

Filmi i shumëpritur në tërësi është mirëpritur nga kritika. E vetmja vërejtje që i është bërë është ajo se në film nuk ka mjaftueshëm aktore. Ani pse prej “trileri” është lansuar në fillim të javës, prej tij s’mund të kuptohet fort dhe për këtë qysh tash “Once Upon a Time in Hollywood” është futur në listën e filmave që “duhen shikuar”.

Tarantino i ka lutur kritikët e filmit që mos të zbulojnë asnjë detaj me qëllim që të gjithë “të mundë ta shijojnë filmin në tërësi”.

“Unë e dua kinemanë, ju e doni kinemanë. Është një aventurë në të cilën sefte hulumtojmë një rrëfim. Aktorët dhe pjesa tjetër e ekipit janë munduar të bëjnë diçka origjinale dhe vërtet i lus të gjithë ata që e shikojnë tash këtë film, të mos zbulojnë bash asgjë për ngjarjen që zhvillohet aty me qëllim që shikuesit e ardhshëm ta kenë të njëjtën përvojë njashtu sikurse ju”, ka shkruar Tarantino në rrjetet sociale

Edicioni i 72-të i Festivalit të Filmit në Cannes është hapur të martën e kaluar me premierën e filmit “The Dead Don’t Die” me regji e skenar të Jim Jarmusch. Disa prej yjeve kinematografike të botës kanë parakaluar nëpër tepihun e kuq në hapje të Festivalit. Mediat e huaja kanë raportuar se aktoret Selena Gomez dhe Julianne Moor, bashkë me yjet e tjerë të filmit “The Dead Don’t Die”, kanë sjellë në jug të Francës glamurin e Hollywoodit. E epokën e artë të Hollywoodit të viteve ‘60 nëpërmjet ekranit të madh por edhe nëpërmjet yjeve e ka risjellë “Once Upon a Time in Hollywood”, i cili është në garë për “Palmën e artë”

Loading...

Shpërndaj me

Loading...