Gjuha shqipe mësohet në shumë universitete të botës, diku si lëndë zgjedhore në kuadër të gjuhëve ballkanike, e në disa universitete janë katedrat e veçanta të gjuhës shqipe.

Vendi që ka më shumë katedra të gjuhës shqipe është Italia, aty ku janë arbëreshët. Ndërkohë, gjuha shqipe përveç që mësohet si gjuhë, ajo mësohet edhe në aspektin akademik, që u shërben studiuesve të huaj për hulumtime shkencore, historike e kulturore.

Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë. Gjuha shqipe mësohet dhe studiohet në disa universitete dhe qendra albanologjike në botë. Dekanja e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Lindita Rugova, tha për Radio Kosovën se shumë universitete të njohura në Itali kanë katedra të gjuhës shqipe si dhe degë të vogla në kuadër të gjuhëve ballkanike.

“Katedra më e vjetër e gjuhës shqipe është ajo e Universitetit “Lorientale” në Napoli, pastaj në Kalabri në Kozencë, në Sicili, në Palermo, në Lece, në Romë, në Venecia. Pra, shumë universitete të Italisë kanë një degë të vogël, një katedër shpeshherë në kuadër të gjuhëve ballkanike, por këto që përmenda janë katedra më vete”, tha ajo.

Dekanja Rugova, tha se në vendet e rajonit janë të hapura katedrat, që në kuadër të tyre mësohet dhe studiohet gjuha shqipe. Në universitetet evropiane gjithashtu, studiohet në SHBA, Rusi e më gjerë. Studiuesi bullgar Anton Pançev, pedagog në Universitetin e Sofjes në degën e Ballkanologjisë, thotë për Radio Kosovën se çdo vit pranohen nga 15 studentë që duan të studiojnë gjuhën shqipe.

“Studentët tanë i përdorin këto mundësi, të zhvillojnë studimet e tyre. Në doktoratë kemi disa doktorantë shumë të suksesshëm në fushën e shqipes, qoftë në letërsi, qoftë në gjuhësi. Mësimi i shqipes në Bullgari ka tradita të vjetra, ka 60 vjet tani. Studentët tanë vazhdojnë të kenë sukses jo vetëm në mësimin e shqipes, por edhe në rileximin profesional”, tha ai.

Gjuha shqipe përveç që mësohet si gjuhë, ajo mësohet edhe në aspektin akademik, që u shërben studiuesve të huaj për hulumtime shkencore, historike e kulturore. Universiteti i Prishtinës bashkëpunon ngushtë me universitetet botërore, që brenda tyre kanë programe dhe kurse për gjuhën shqipe. Pedagogët e studiuesit e gjuhës shqipe në ato universitete, shkëmbejnë studimet e hulumtimet e tyre me universitetet shqiptare në Prishtinë e Tiranë.

Shpërndaj me

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com