Partia Demokratike në Shqipëri ka vendosur që të organizojë të premten e 21 qershorit protestën e radhës kombëtare. Protesta do të nisë në orën 20:00.

Top Channel në Shqipëri mëson se kryetari i PD-së Lulzim Basha ka thënë në mbledhje se: “Edi Rama na ka shpallur luftë.”

Duke theksuar se nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën, Basha e ka konsideruar krim procesin e 30 qershorit, veçanërisht në kushtet e dekretit të presidentit.

“Duhet të mbrojmë vendin dhe qytetarët, Kushtetutën. Jemi në të drejtën tonë t’i përgjigjemi me çdo çmim dhe me çdo mjet”, është shprehur Basha.

Gjatë mbledhjes, Basha ka theksuar se strukturat e partisë janë në punë të pandërprerë.

“Takime me qytetarët për t’u shpjeguar se Rama po bën ‘grusht shteti’. Është rrezik kombëtar, duhet ndalur menjëherë. Vendi rrezikon rikthimin e vizave, izolimin, regjim represiv përmes arrestimeve”, ka thënë Basha.

Opozita ka zhvilluar disa protesta që prej 16 shkurtit, duke vendosur të djegë edhe mandatet e deputetëve. Protesta e fundit, e zhvilluar më 8 qershor, përfundoi pa akte dhune për shkak edhe të vendimit të presidentit Ilir Meta për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.

Pavarësisht vendimit të Metës, mazhoranca shprehet e vendosur për të shkuar në zgjedhje më 30 qershor, ndërkohë që opozita e konsideron vendimin e kundërshtarëve politikë si ‘grusht shteti’./TCH

Loading...

Shpërndaj me

Loading...