Ish drejtori i burgut të Strugës Armend Shaqiri i dyshuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, pas dhënies së dorëheqjes nga posti i drejtorit të burgut 2 javë më parë, menjëherë është caktuar funksion tjetër, lokal, në njërën nga ndërmarrjet e komunale të Strugës. Pavarësisht se Shaqiri ishte pjesë e strukturave lokale të BDI-së në Strugë, nga partia e tij as sot nuk e panë të arsyeshme që të komentojnë rastin në fjalë. Dorëheqjen e tij nga kreu i burgut dhe pozitën e re në një nga ndërmarrjet komunale, nuk e komenton as i pari i Strugës Ramiz Merko i cili e emëroi në funksionin e ri. Merko iu shmang telefonatave dhe mesazheve të Alsat-M, në lidhje me informatat e publikuara. Sipas informatave të Alsat, për shpërdorim të detyrës zyrtare dyshohet edhe një inspektor policie, i cili duket të ketë bashkëpunuar me Shaqirin dhe me të burgosurit për trafik droge që ishin lënë të lirë. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se për shkak të procedurës para hetimore nuk mund të ndajnë detaje nga aksioni i Strugës, por theksojnë se së bashku me Prokurorinë Publike po hetojnë rastin dhe rrjetin e krimit. Edhe pse Shaqiri kishte deponuar dorëheqjen para dy javësh, Qeveria e miratoi në seancën e djeshme. Zëdhënësi Muhamet Hoxha konfirmoi pranimin e kërkesës së Shaqirit për dorëheqje nga posti i drejtorit të burgut të Strugës, por tha se nuk dëshiron që ta komentojë rastin në fjalë, pa paragjykuar nëse ai do t’i dorëzohet drejtësisë për procedim. Sipas zëdhënësit të qeverisë, procedurat e mëtejshme hetimore u përkasin organeve të drejtësisë.

 Qeveria e RM-së dje ka pranuar kërkesën e drejtorit të burgut të Strugës për shkarkim. Pra Qeveria ka konstatuar dorëheqjen apo ka shkarkuar drejtorin e burgut të Strugës. Kërkesa është deponuar para disa ditëve. Më saktësisht para seancës së kaluar, do me thënë diku afër 10 ditëve por Qeveria pas shqyrtimit në komisionet përkatëse, pra në komisionin qeveritarë të kuadrove është shqyrtuar sërish dje dhe është konstatuar kërkesa e tij për dorëheqje.

Në opinion flitet se rrjeti ka pasur segmente të shtrira në polici, gardianë, madje edhe punonjës lokalë të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, duke ngritur dyshime nëse dorëheqja e Shaqirit nga drejtorit të burgut ka qenë spontante, apo edhe emërimi në detyrën e re si drejtor i “Eko Strugës”, për parkingjeve në këtë qytet. Operacioni në Strugë, sipas burimeve të ALSAT, ka pasur në fokus, shpërndarës të lëndëve narkotike dhe grupet e tyre, të ndjekur edhe me masa hetimore të ndjekjes dhe përgjimit, përfshirë edhe drejtorin e burgut.

Besian Leka

Shpërndaj me