Shtetet e Bashkuara i kanë intensifikuar thirrjet për vendet evropiane që t’i riatdhesojnë dhe gjykojnë qytetarët e tyre që kanë luftuar për grupin militant Shteti Islamik (IS).

Koordinatori kundër terrorizmit i Departamentit amerikan të Shtetit, Nathan Sales, arriti të hënën në Bruksel, për të shtyrë përpara argumentin e Uashingtonit se rikthimi i luftëtarëve në shtëpi është mënyra më efektive për t’u marrë me ta.

“Ne të gjithë e kuptojmë nevojën për të qenë të ashpër ndaj terroristëve. Por, për të qenë të ashpër, ne mendojmë se ata duhet të ndiqen penalisht dhe të mbahen përgjegjës”, u tha Sales gazetarëve në Bruksel.

“Lënia e tyre në shkretëtirë nuk është zgjidhje efektive. Kjo i rrit gjasat që ata të gjejnë mënyra për t’u kthyer në fushëbetejë”, shtoi Sales, i cili pritet të takojë disa zyrtarë të vendeve evropiane.

Mosmarrëveshjet për luftëtarët e huaj dominuan edhe një takim të koalicionit ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, që u mbajt javën e kaluar në Uashington.

Vendet, si Franca dhe Britania, nuk e duan kthimin e atyre shtetasve që i janë bashkuar Shtetit Islamik.

Disa qeveri evropiane, përfshirë Britaninë, ua kanë marrë edhe nënshtetësinë disa qytetarëve për shkak të lidhjeve të pretenduara me Shtetin Islamik, por Sales paralajmëroi se kjo strategji gjithashtu përfshin rreziqe të mëdha.

“Ne nuk mendojmë se heqja e nënshtetësisë është një mjet i efektshëm kundër terrorizmit”, tha ai.

“Në vitet 1990, Arabia Saudite i hoqi nënshtetësinë Osama bin Ladenit. Kjo nuk e parandaloi 11 shtatorin”, tha Sales, duke iu referuar sulmeve të rrjetit terrorist Al Kaida në SHBA, më 11 shtator, 2001.

BE-ja nuk ka politikë për luftëtarët e huaj dhe secili nga 28 shtetet anëtare vendos vetë se si ta trajtojë këtë çështje.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...