Serbia prej nesër do të vendosë kundërmasa ndaj Maqedonisë për shkak të importit të vështirësuar të miellit, paralajmëroi sot ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajiq.
“Nuk mund të presim më. Përveç blerjes së kohës, nga ana e tyre nuk pamë kurrfarë përgjegjësie për zgjidhje të problemit”, thotë Ljajiq në deklaratë për “Danas”.

Thekson se ka qenë i gatshëm të premten të vijë në Shkup për të biseduar me përfaqësuesit e Qeverisë së Maqedonisë për zgjidhjen e problemit me importin e miellit serb në Maqedoni, por ka hequr dorë sepse nuk ka dëgjuar propozim konkret për të cilin mund të bisedohej.

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave njoftojnë se janë duke shqyrtuar të gjitha opsionet për tejkalimin e gjendjes.

Pritet, në Këshillin e sotëm ekonomik të ministrave nga resori i ekonomisë të hapet edhe çështja për ndryshimet e Rregullores për të cilën u krijuan mosmarrëveshje me Serbinë.

Ministri Nikollovski të shtunën kumtoi se është arritur marrëveshje që të formohet komitet mes dy palëve që do t’i hapë të gjitha çështjet e mundshme, ndërsa mbledhja e parë është caktuar këtë muaj në Nish.

Problemi me importin e miellit serb u krijua pasi që Maqedonia, më 8 shkurt të këtij viti, i vendosi ndryshimet e Rregullores ekzistuese. Me ndryshimet urdhërohet që mielli të shënohet me etiketa pas distribuimit dhe kontrollit të tij të plotë në vend, e jo para se të arrijë në Maqedoni, nga ana e eksportuesve.

Serbia reagoi sepse konsideron se Maqedonia po vendosë barriera, që nga ana e Maqedonisë mohohet dhe përmendet se kushtet për import edhe deri më tani kanë qenë të njëjta, vetëm ka ndryshuar orari i tyre dhe duhet të respektohen.

Shpërndaj me