Avokatët e Presidentin amerikan Donald Trump filluan të shtunën paraqitjen e argumenteve mbrojtës në gjyqin që synon shkarkimin nga detyra të zotit Trump. Ata thanë se përpjekjet e demokratëve për ta larguar nga detyra Presidentin Trump do të vendosnin një preçedent “tejet të rrezikshëm” në një vit zgjedhor.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Pat Cipollone, i cili drejton ekipin e mbrojtjes u tha senatorëve se ata do t’i mohonin votuesve të drejtën për të dhënë mendimin e tyre për zotin Trump në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit nëse merrnin vendim ta shkarkonin atë. Ai tha me tej se senatorët “do të zbulojnë se presidenti nuk ka bërë asgjë të gabuar”.

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët e ka akuzar zotin Trump për abuzim me detyrën dhe pengimit të hetimeve që po kryente Kongresi. Pritet që Senati ta lirojë atë nga akuzat në kushtet kur nevojiten dy të tretat e votave për shkarkimin e tij. Asnjë senator republikan nuk ka shprehur mbështetje për shkarkimin e tij.

Të premten demokratët përmbyllën pas tre ditësh paraqitjen e argumentave të tyre fillestare në gjyqin në Senat. Përfaqësuesit e akuzës nga Dhoma e Përfaqësuesve thanë se presidenti është fajtor dhe kërkuan shkarkimin e tij nga detyra. Megjithatë republikanët, të cilët kanë shumicën në Senat, janë përgjithësisht të bashkuar në mbrojtje të presidentit.

Ligjvënësit demokratë përfunduan prezantimin e akuzave duke përsëritur thelbin e pretendimit të tyre se Presidenti Trump i bëri presion Ukrainës të hetojë një rival politik, në prag të fushatës së tij për t’u rizgjedhur, dhe se në vazhdim u përpoq të fshehë shkeljet e tij.

“Evidenca është e qartë. Pyetja për ju është nëse e gjykoni të pranueshme që presidenti të bllokojë paratë e taksapaguesve, asistencën për një vend aleat në luftë, për përfitimin e tij personal politik”, u tha senatorëve Ligjvënësi demokrat Jason Crow.

“Presidenti Trump u përpoq të bëjë hile. Pasi u kap, u përpoq shumë ta fshihte”, tha Ligjvënësi demokrat Hakeem Jeffries.

Republikanët i quajtën argumentat të stërzgjatura dhe të përsëritura.

“U bë trullosëse”, tha Senatori republikan Lindsay Graham.

Presidenti Trump iu bashkua kritikave duke shkruajtur në Twitter: “Demokratët e paaftë vazhdojnë të përsërisin dhe të përsërisin pa fund, të njëjtat gjëra të vjetëruara nga procesi mashtrues i akuzave”.

Demokratët ende kërkojnë që të dëshmojnë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të përfshirë në ndërveprimin e Presidentit Trump me Ukrainën dhe po u bëjnë presion republikanëve që ta përkrahin kërkesën e tyre.

“Mos e fusni kokën në rërë dhe pastaj të ankoheni se është errësirë”, tha Senatorja demokrate Kirsten Gillibrand.

Katër republikanë duhet t’i bashkohen pakicës demokrate për të mundësuar thirrjen e dëshmitarëve të rinj. Deri më tani, asnjë senator republikan nuk e ka hedhur këtë hap.

“Përfaqësuesit demokratë të akuzës kanë thënë se ekziston evidencë masive, një mal me prova… Nuk u duhet informacion i mëtejshëm për të marrë vendimin përfundimtar”, tha Senatori republikan John Barraso.

Tashmë fillojnë avokatët e presidentit të paraqesin argumentat kundër dy akuzave që Dhoma e Përfaqësuesve miratoi në dhjetor.

“Ju siguroj se do të bëjmë një mbrojtje të fortë të fakteve dhe do të rrëzojmë ato që janë thënë (nga pala e akuzës). Detyra jonë këtu është të mbrojmë presidentin, Zyrën e Presidencës dhe Kushtetutën”, u tha gazetarëve Jay Sekulow, avokat i Presidentit Trump.

Ekipi ligjor i Presidentit do të kundërshtojë rezultatin që kërkojnë ligjvënësit demokratë.

“Nëse e gjeni fajtor, duhet konkludoni që të shkarkohet. Sepse e drejta ka rëndësi… dhe e vërteta ka rëndësi. Përndryshe, jemi të humbur”, u tha senatorëve Ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Republikanët thonë se fatin e Presidentit Trump duhet ta vendosi populli amerikan.

“Vendimin duhet ta marrin votuesit”, tha Senatori Graham.

Amerikanët do të votojnë për zgjedhjen e presidentit në nëntor. Anketimet tregojnë se vendi është i ndarë në qëndrimet për heqjen apo jo nga detyra përpara nëntorit të Presidentit Trump.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...