Rusia mund të ketë manipuluar me vendin ku ka ndodhur sulmi i dyshuar kimik në Duma të Sirisë, ka thënë i dërguar i SHBA-së në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, duke i bërë thirrje këtij organi që të dënojë përdorimin e vazhdueshëm të këtyre armëve.

Këto komente vijnë pas një takimi me dyer të mbyllura të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, pas sulmit më 7 prill në Duma, ku u vranë dhjetëra persona. Ambasadori amerikan, Kenneth Ward ka theksuar se rusët mund ta kenë vizituar vendngjarjen.

“Është shqetësuese pasi ata mund të kenë manipuluar provat, me qëllim që të pengojnë përpjekjet e misionit të OPCW për gjetjen e fakteve dhe për të kryer një hetim efektiv”, ka thënë ai.

Inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike do të vizitojnë vendin ku ndodhi sulmi në Duma, për të mbledhur prova, për të intervistuar dëshmitarët, me qëllim që të hetojnë nëse helmet e ndaluara janë përdorur në sulmin e 7 prillit. Ndërkohë Shtëpia e Bardhë ka thënë se misioni i Shteteve të Bashkuara në Siri nuk ka ndryshuar, duke përsëritur qëndrimin e presidentit Donald Trump se dëshiron që trupat amerikane të kthehen në shtëpi “sa më shpejt që është e mundur”.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë kryer sulme ajrore të premten, në tri lokacione ku dyshohet se ka pasur armë kimike në Siri. Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se sulmet kanë kryer misionin, që ishte për të minuar përpjekjet e Qeverisë siriane për të prodhuar dhe përdorur armë kimike. Trump më 15 prill e ka informuar me shkrim Kongresin për vendimin e tij për të kryer sulme ajrore në Siri. Sipas ligjeve në SHBA, presidenti duhet të mbajë të informuar Kongresin për veprime të tilla. Trump u ka thënë ligjvënësve se ai ka vepruar për të “promovuar stabilitet në rajon, për të penguar përdorimin dhe përhapjen e armëve kimike dhe për të shmangur një përkeqësim të katastrofës humanitare në rajon”.

Alsat-M

Shpërndaj me

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com