Në gjykimin për rrahjen që ka ndodhur në qershor të këtij viti në Prizren, të akuzuarit Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, Arlind Dakaj e Mirsad Hajredini, po kontestojnë lëndimet e rënda trupore që dyshohet se ia shkaktuan të dëmtuarit Hulusi Badallaj.

Për këtë arsye, të akuzuarit përmes avokatëve të tyre, Avni Berisha, Driton Shehu dhe Klodian Krasniqi, kanë kërkuar të dëshmojnë mjekët hartuan raportin dhe që konstatuan lëndimet e të dëmtuarit.

Për këtë arsye, në seancën e sotme dëshmi dha eksperti mjeko-ligjor, Flamur Blakaj.

Ai foli për ekspertizën që e ka përpiluar me urdhër të prokurorit të çështjes Mehdi Sefa.

Të akuzuarit kishin kundërshtime lidhur me konstatimet për lëndimet e pësuara nga i dëmtuari gjatë përleshjes, sidomos me pjesën ku është konstatuar për lëndimet tronditje trunore.

Eksperti mjeko-ligjor sqaroi se sa i përket diagnozës tronditje trunore, nuk e vendos ai dhe kolegët e tij si vlerësues, por atë e vlerësojnë trajtuesit – mjeku i cili e ka trajtuar të dëmtuarin.

Më tutje eksperti Blakaj tregoi se ekspertiza e tij e punuar është bazuar në dokumentacionin mjekësor dhe “në bazë të atyre diagnozave rezulton se kemi të bëjmë me tronditje trunore për të dëmtuarin Badallaj”.

Sipas ekspertit Blakaj, nëse kemi të bëjmë me tronditje trunore dhe nëse mjeku trajtues që e sheh pacientin dhe dyshon në tronditje trunore, pacienti nuk lejohet të lëshohet nga spitali para 24 orësh. Por, tha ai, është tjetër gjë nëse pacienti shkon me vetëdëshirë.

Për propozimin e avokatit Avni Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Dibran Hoxha “Kobra”, trupi gjykues në përbërje Xheladin Osmani kryetar, Ajser Skenderi dhe Luan Berisha anëtarë, aprovoi propozimin e tyre, dhe në seancat e ardhshme do të ftohen për t’u dëgjuar si dëshmitarë, mjekët dhe specialistët të cilët i kanë konstatuar lëndimet e rënda të të dëmtuarit Hulusi Badallaj, lëndime këto të pësuara me rastin e përleshjes të ndodhur në qershor të 2018.

Pas dëgjimit të këtyre mjekëve në cilësi të dëshmitarëve, lënda përsëri do t’i dërgohet ekspertit mjeko – ligjor dr. Flamur Blakaj, për të përpiluar një raport dhe ekspertizë të re.

Kallxo.com ka raportuar që nga qershori lidhur me këtë rast.

Dibran Hoxha fillimisht kishte qenë në kërkim policor prej ditës kur kishte ndodhur rasti, pasi që i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore personit Hulusi Badallaj, babai i një ish-punëtori të “Kobra City”, një lokali nate në Prizren.

Ngjarja për të cilën dyshohet menaxheri i lokalit të natës “Kobra City” dhe dy të tjerë ka ndodhur më 15 qershor./ Kallxo

Loading...

Shpërndaj me