Maqedonia dhe shtetasit e saj janë para një mundësie historike duke votuar në referendum, ka porositur ministri gjerman për Evropën, Mihael Rot. Sipas tij, me votimin e “Marrëveshjes së Prespës”, qytetarët sërish do të mund ta konfirmojnë përkushtimin e tyre drejt demokracisë dhe sundimit të së drejtës.

Maqedonasit po shkruajnë historinë, edhe atë jo vetëm nacionale, por edhe historinë evropiane. Me marrëveshjen që u arrit me Greqinë, pres që së shpejti Maqedoninë ta shoh në grup, përkatësisht në familjen e miqve të BE-së dhe NATO-s. Do të doja t’i inkurajoj njerëzit në shtetin e juaj të bukur që ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike – tha Mihael Rot- ministër gjerman për Evropë.

Në pyetjen e televizionit Alsat lidhur me informacionet se shtetasit e Maqedonisë prej 1 janarit të vitit të ardhshëm do të mund të punojnë në Gjermani me pasaporta maqedonase, ai tha se po punohet në lehtësimin e procedurave.

Duam t’ua lehtësojmë njerëzve nga Ballkani Perëndimor që të vijnë, të jetojnë dhe të punojnë në Gjermani. Por, për këtë duhet vizë dhe duhet të rregullohet regjimi i vizave që t’u lehtësohet njerëzve – tha Mihael Rot, ministër gjerman për Evropë.

Ministri i jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov tha se Maqedonia gjendet para një udhëkryqi të madh historik. Për qëndrimin e VMRO DPMNE-së lidhur me referendumin, Dimitrov tha se kjo është ikje nga ballafaqimi me vullnetin e popullit.

Është e qartë se marrëveshja vështirë po kalon edhe në Greqi. Kjo do të thotë se mezi është gjetur gjuha e përbashkët. Ne jemi maqedonas dhe flasin gjuhën maqedonase. Kjo është çështje mbipartiake dhe nuk ka lidhje me Qeveri apo kryetarë komunash. Mendoj që ju të flitni 10 vite për referendum dhe në çdo pyetje të mundshme të thoni, kur të gjejmë gjuhë të përbashkët me Greqinë, do t’i pyesim qytetarët dhe tani të mos keni qëndrim të qartë, kjo vetëm se është ikje prej përgjegjësisë – u shpreh Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm i Maqedonisë.

Rreth kodeve MK dhe MKD, Dimitrov tha se të njëjtat do të mbeten, por se çështja për markat tregtare nuk është mbyllur me marrëveshjen.

Marrëveshja vetëm tregon se si do të trajtohet kjo çështje. Përderisa nuk gjendet zgjidhje, mbetet metoda e vjetër. Pa pajtueshmërinë tonë dhe të tyre, asgjë s’mund të ndryshojë. Do të ketë një trup me biznesmenë vendorë të biznesmenëve nga pala e tyre, me ekspertë ndërkombëtarë të cilët do të gjejnë mënyrë sepse ne kemi më shumë marka tregtare me emrin “Maqedoni” dhe “maqedonase”. Do të gjendet mënyrë si do të funksionojë kjo – theksoi Nikolla Dimitrov, ministër i jashtëm i Maqedonisë.

Dimitrov dhe Rot në Ohër morën pjesë në debatin, që u paralajmërua si debat me të rinjtë. Por, në Teatrin Antik që ka kapacitet prej 3000 persona, u paraqitën rreth 50 persona, prej të cilëve vetëm një numër i vogël ishin të rinj.

Miki Trajkovski

Loading...

Shpërndaj me