Hoteli i Cristiano Ronaldo në qendër të Madridit është investimi i fundit i yllit portugez. Futbollisti i Juventusit do të mbetet i lidhur, në këtë mënyrë, me kryeqytetin spanjoll, pas largimit të tij nga Real Madridi. Sidoqoftë, këtë herë ai do të jetë i pranishëm si sipërmarrës në Madrid.

50%, biznes me grupin “Pestana”

Pronar i hotelit nuk do të jetë plotësisht CR7, pasi futbollisti nga Madeira do të zotërojë 50% të biznesit. Pjesa tjetër i përket grupit “Pestana”, pronar i disa hoteleve, gjithashtu, në kryeqytetin spanjoll. Kjo nuk është hera e parë, që Cristiano Ronaldo zhytet në aventurën e biznesit të hotelerisë, pasi marka “Pestana CR7” u bë realitet kur u hapën hotelet, që lojtari ka në Portugali, konkretisht në Lisbonë dhe Funchal. Zinxhiri i hoteleve të kësaj marke njoftoi të martën se kanë investuar 15 milionë euro për ndërtimin dhe vënien në punë të hotelit tjetër të CR7, i cili do të jetë i pari i lojtarit jashtë vendlindjes.

Vetë Cristiano ishte i ngazëllyer për këtë investim të radhës. Përveç prezantimit të projektit në media, do të ishte vetë sulmuesi bardhezi, ai që ndau në rrjetet e tij sociale disa imazhe të hotelit të tij: “Gjithnjë e më afër hapjes së hotelit tonë të ri, “Pestana CR7” në “Gran Vía” të Madridit! Qëndroni këtu, të ndiqni më shumë detaje. Shihemi së shpejti në Madrid”. Pavarësisht se nuk tregon një datë të saktë, thuhet se hoteli i tij në Madrid do të inaugurohet verën e ardhshme.

Dy hotele me 4 yje

Edhe pse për momentin nuk dihet se sa yje do të ketë hoteli i ri i Cristiano Ronaldos, i pari në Madrid, e vërteta është se ne mund të shikojmë ato që janë tashmë realitet në Portugali. Si hoteli në Lisbonë, edhe ai në Funchal, janë me 4 yje dhe marrin vlerësime shumë të mira në internet.

Kushdo që dëshiron të qëndrojë në to, mund ta bëjë këtë me një çmim prej 95 euro/nata në Lisbonë, ose 76 euro/nata në Funchal. Ceremonia e inaugurimit të hotelit të ri mund të jetë e ngjashme me atë të kryeqytetit portugez, megjithëse vendndodhja në qendër të Madridit na fton të mendojmë se mund të jetë diçka më pompoze. Sidoqoftë, tifozët e portugezit në Madrid do të kenë një dhuratë të veçantë prej tij.

Partnerë që nga viti 2015

Aventurat e Cristiano Ronaldos si sipërmarrës hoteliere filloi në vitin 2015, kur vendosi të bashkohej me “Pestana Group”. Konkretisht, ai nisi bashkëpunimin me biznesmenin Dionisio Pestana, me të cilin krijoi shoqërinë hotelerike, ndërsa luante akoma te Real Madridi. Projekti i të dyve do të përbëhet nga disa hotele, nga të cilët dy janë në Portugali dhe i treti në Madrid, i cili do të hapet së shpejti.

Duket se ky nuk do të jetë investimi i fundit i Cristiano Ronaldos në fushën e hotelerisë, pasi është planifikuar hapja e një hoteli tjetër në Manchester, në vitin 2021, ndërsa dy vite më vonë (2023) në Paris. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, marka “CR7 Pestana” pritet ta zgjerojë investimin në këtë drejtim me 10 hotele të reja.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...