Reklama si medie personalisht më është dukur gjithmonë interesante dhe hapësirë e jashtëzakonshme kreative. Ky element merr peshë kur porositësit me anë të saj nuk duan thjesht të shesin produktin që kanë, por paralelisht të përçojnë edhe mesazhe të tjera.

Fushata e tipit, birra pa etiketë në kanaçe, e Birrarisë së Prilepit për birrën “Zllaten Dab” ka këtë element suprize, sepse në vend që të theksojë markën e vet, ajo me vetëdije e humbet atë në emër të një kauze “Pa paragjykime, pa etiketa”. Sado që e limituar të jetë kjo fintë marketingu, nuk mund të mos ngjallë reflektim, sidomos nëse analizon reklamat dhe gjuhën e tyre të komunikimit.

Miku im, filozofi Artan Sadiku, në një prezantim pak ditë më parë, për rolin e artit në shoqëri, thoshte se arti me format e ndryshme të shprehjes duhet të shokojë, por dhe të nxisë mendim dhe progresivitet.

Kur sheh reklamën e birrës në fjalë, që jo domosdoshmërisht ndjell etje, sërish nuk është se të le të qetë dhe nuk të shtyn për të reflektuar. Paragjykimet janë kudo dhe normal që ke menduar dhe mendon për to. Por nuk jam vetëm unë, që i ndodhi kjo. Për shembull, Betim Zeqiri, një grafist dhe editues zëri, i impresionuar nga muzika e reklamës, bëri një miks tjetër të këngës duke e bërë atë më ritmike e më të kërcyeshme. Realisht do të duhej të jetë pjesë e klubeve.

Idea për mua është se sa produktet vizuale, edhe pse në raste edhe me qëllime komerciale, lënë gjurmë edhe kur nuk e presim. Reklama ka pamje që si pret dhe të detyron të mendosh për atë që shfaq, që është: “Pa paragjykime, pa etiketa”.

Paragjykimet dhe etiketimet janë prezente në shoqëri dhe shpesh përballja ndaj tyre jo gjithmonë është e thjeshtë. Dhe e dini, habitesh më shumë kur përballesh me to në mënyrë më të papritshme. Aleksandar Ivanovski, është kolegu im i zyrës, i cili mëson gjuhën shqipe dhe vrojton shqiptarët nga të gjitha anët. Për shembull, analizon dhe tekstet e këngëve dhe nga gjitha paragjykimet dhe etiketimet që mund të ekzistojnë edhe brenda llojit, ai zbulon se shqiptarët këndojnë më shumë për bukurinë e femrës dhe dashurinë. Detaj që jo ndoshta që se vëmë re as vetë, por kur theksohet sidomos nga të tjerët, evidenton, për shembull butësinë e mashkullit, që shpesh ne e shohim ose shfaqet si më trim, ose më macho në kontekst më modern.

I gjithë ky reflektim për paragjykimet dhe sidomos për etiketimet më erdhi nga reklama dhe mbase dhe debatet e ngjallura nga reklama e Zllaten Dab, e cila pikërisht ka slloganin “Pa paragjykime dhe pa etiketa”. Personazh të ndryshëm dhe jo tipik shfaqen në reklamë duke nxjerrë në pah disi atë elementin se si e shohin ata veten dhe si i shohin të tjerët dhe si paragjykimet dhe etiketimet nga të gjitha llojet vijnë edhe nga mosnjohja, por edhe nga moskomunikimi.

Reflektimi mbi to do të duhej të ishte konstant dhe të tejkaloheshin, por e bukura kësaj here është se vjen nga nuk e pret, nga një birrë.

 

N.R

Shpërndaj me