Më 30 shtator, në referendum, vendosim ne. Ky moment historik është më i madh se ne, se partitë tona, zënkat ose interesat tona personale. Bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Të dalim të gjithë në referendum, për Maqedoninë Evropiane, thekson mes të tjerash kryeministri Zoran Zaev përmes video incizimit drejtuar qytetarëve në vigjilje të deklarimit në referendum më 30 shtator.

“Pavarësi dhe liri. Këto janë aspiratat për të cilat luftoi populli ynë gjatë të kaluarës së lavdishme. 8 Shtatori i vitit 1991, ishte realizimi i atij ideali, ditë historike kur qytetarët, në referendum, zgjodhën të ardhmen në shtetin tonë autonom dhe të pavarur.

Atëherë isha 17-vjeç dhe e dija se vendi i Maqedonisë është me botën perëndimore, demokratike, në Evropë. Që atëherë kaluam shumë momente të vështira, ndërsa disa nga ëndrrat tona më të mëdha deri më sot, mbetën të parealizuara.

Populli im, ka ardhur koha!

Ka ardhur koha kur duhet të jemi të guximshëm dhe të shohim drejt të ardhmes!

Sot, kur të gjithë së bashku qëndrojmë para sfidës më të madhe në historinë e vendit tonë, kemi mundësinë e vetme që ta kapim këtë shans historik, këtë referendum të dytë që do ta përforcojë pavarësinë tonë dhe të themi po, për të ardhme stabile dhe të sigurt, për të ardhme në Evropë.

Më 30 shtator, në referendum, vendosim NE. Rruga jonë nuk është e lehtë, por e dimë mirë se çka fitojmë. E dimë se jemi në vendin tonë, maqedonas të cilët flasin gjuhën e pranuar maqedonase, qytetarë të cilët përcaktohen për jetë më të mirë, me të ardhura më të mëdha, për vende të mira të punës. E gjithë kjo në Maqedoninë tonë të bukur, të sigurt, të mbrojtur, të qetë, miqësore dhe stabile. Evropiane.

Në bisedimet dhe me marrëveshjen ne e ruajtëm gjuhën dhe kombin tonë, kulturën tonë, e ruajtëm edhe historinë tonë. Por, me referendum të suksesshëm ne si shtet do ta sigurojmë përgjithmonë edhe të ardhmen tonë”, thekson kryeministri Zoran Zaev në paraqitjen e tij përmes videos deri te qytetarët e Republikës së Maqedonisë.

 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...