Votimi i ndryshimeve Kushtetuese është temë kryesore edhe në Greqi. Vendimi i deputetëve në parlament u përshëndet nga shumë figura diplomatike. Përfaqësuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara Methju Nimic, ndërmjetësuesi prej disa dekadash i procesit të zgjidhjes, ka përshëndetur miratimin e ndryshimeve kushtetuese, duke shkruar se pret përmbyllje të procesit ashtu siç e parasheh Marrëveshja e Prespës.

Dua të përgëzoj Kuvendin dhe qytetarët për këtë arritje dhe për mënyrën demokratike të kryerjes së këtij procesi të rëndësishëm. Kjo marrëveshje historike midis dy fqinjëve hap derën për marrëdhënie të reja mes tyre dhe për një themel më të fortë për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Kombet e Bashkuara mbeten të përkushtuar për të punuar me të dyja palët që më në fund të zgjidhen dallimet mes tyre”- tha Methju Nimic, Përfaqësues i Kombeve të bashkuara.

Votimin në parlament, pas krerëve ndërkombëtar, e ka përshëndetur edhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës Torborn Jaglland i cili e ka cilësuar atë si shumë të rëndësishëm për vendin dhe rajonin. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Hajko Mas ka thënë se pret tani që edhe Greqia ta votojë në parlament marrëveshjes, me qëllim që sa më shpejtë Maqedonia të nisë bisedimet me BE-në.

Ndërkohë shtypi ndërkombëtarë ka komentuar mbi vendimin e së premtes, në fokus të komenteve të shumta ka qenë hapi i ardhshëm të cilin duhet ta ndërmerr parlamenti Grek. Mediat prestigjioze kujtojnë se pas këtij veprimi “topi” tani është në stadiumin e Athinës.

“Parlamenti grek do të duhet të votojë mbi marrëveshjen, gjë e cila ndoshta nuk do të jetë e lehtë, marrë parasysh faktin se sa thellë është e ndarë çështja në vend. Votimi i djeshëm ishte një lajm i mirë dhe triumf i diplomacisë së zellshme”, shkruan New York Times.

“Mirësevini në Maqedoninë e Veriut”! Me miratimin e marrëveshjes me Greqinë, vendi po i jep fund një polemike 27 vjeçare”, shkruan The Guardian.

“Me ratifikimin final të marrëveshjes, pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut do të jetë e mundur si në BE ashtu dhe në NATO”, shkruan Die Zeit.

Ditë më parë zëdhënësi i Qeverisë Greke Canakopulos tha se në parlamentin Grek ka shumicë për votimin e marrëveshjes së Prespës duke potencuar se ratifikimi i marrëveshjes së Prespës i shërben interesave të Greqisë dhe rajonit më të gjerë. Gjatë ditës, nuk ka pasur reagime nga opozita greke e cila gjatë gjithë procesit ka qenë kundër kësaj marrëveshje duke e cilësuar Athinën zyrtare si humbëse kurse Shkupin fitimtar.

Vjollca Aliti

 

Loading...

Shpërndaj me