Komisioni Anti-korrupsion nuk mund të shqyrtojë me procedurë të shpejtë të gjithë dosjen voluminoze të rastit “Rashkovski” – për blerjen e pajisjeve të radarëve. 3 kuti me dokumente kanë arritur nga Qeveria dhe Operatori i shërbimeve të navigacionit ajror “M-Nav”. Ky komision ka dy muaj afat ligjor për t’i shqyrtuar deri në vendimin që do të shpallet në seancë publike. Anëtari Anti-Korrupsionit Nuri Bajrami tha se është procedurë e komplikuar meqë ka edhe elemente ndërkombëtare, duke mos precizuar kohën, meqenëse sipas tij, kanë një dosje mjaft voluminoze.

Ajo është një procedurë shumë e komplikuar për arsye se këtu kemi edhe element ndërkombëtar, qoftë të financimit dhe ko-financimit të projekteve të caktuara apo të shpalljes së furnizimeve publike me element ndërkombëtar. Edhe këto procedura janë aq voluminoze. Tek ne kanë arritur tre pakete dokumentesh që janë shumë voluminoze dhe Komisioni është i pamjaftueshëm edhe në aspekt kohorë, kadrovik dhe profesional që t’i shqyrtoj disa faza të caktuara – tha Nuri Bajrami, Anëtar i Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit.

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, dyshohet për kurdisjen e tenderit të porositjes së pajisjeve të radarëve për M-NAV në vlerë 7 milion euro, të cilin do ta merrte kompania italiane “Leonardo”. Rasti filloi tre muaj më parë me publikimin e një bisede në një portal në internet të regjistruar në zyrën e tij, për të cilin Rashkovski akuzoi se atë e ka regjistruar ish drejtori teknik i M-Nav, Klime Çepunjovski. Rashkovski nuk shpjegoi se çfarë domethënie kanë termat që i përdorte si “15 për qind” ose “Leonardo do të fitojë”. Për t’i shqyrtuar të gjitha këto detaje, Bajrami tha se do të angazhojnë ekspertë të jashtëm.

Ligji jonë lejon që të angazhojmë ekspertë dhe një pjesë të asaj punë do të kërkojmë nga organet tjera kompetente, siç është Enti Shtetëror për Revizion. Punojmë 24 orë, por sa i përket potencialit kadrovik të punësuarve në sekretariat, të cilët janë mbështetja jonë, kemi në pikën zero” – u shpreh Nuri Bajrami, Anëtar i Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit.

Pas skandalit, VMRO DPMNE-ja dorëzoi kallëzim penal kundër Rashkovskit ndërsa kërkon reagim edhe nga Prokuroria dhe ndalimin e tij, që i gjithë hetimi të kryhet pa ndonjë ndikim mbi dëshmitarët. Prokuroria Publike nuk ka hapur hetim, por është në pritje të konstatimit të Anti-korrupsionit. Nëse ka elemente të veprës penale lidhur me tenderin ata shprehen se do të veprojnë sipas kompetencave ligjore. Deri më tani këtë çështje e heton vetëm Anti-Korrupsioni.

Adnan Qaili

Loading...

Shpërndaj me

Loading...