Pas gati 30 vjet pavarësi, Maqedonia tani po negocion me fqinjët e saj për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe kapitalit, edhe atë në takimin e parë të përbashkët në Novi Sad, midis kryeministrit Zoran Zaev, presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama. Gjatë takimit u miratua deklarata për përmirësimin e bashkëpunimit midis të tre vendeve, ndërsa masat konkrete do të bëhen të ditura brenda një muaji. Përkatësisht, takimi i dytë me të njëjtën përbërje është caktuar për më 10 nëntor, në Ohër. Sipas kryeministrit Zaev, është hapur mundësi për investime të reja të biznesmenëve nga vendi dhe plasmani më i mirë i produkteve të tyre në Shqipëri dhe Serbi.

Qëllimi kryesor është një standard më i lartë, më shumë para dhe më shumë fuqi ekonomike dhe vende të reja pune dhe punësime, e drejta e të rinjve për të mësuar, studiuar në çdo rajon dhe të punësohen më lehtë në të gjitha vendet e rajonit. Kur dikush investon në fabrikën e tij, ai mund të shohë rajonin në tërësi, si për fuqi pune ashtu edhe për investime dhe plasman të produkteve “-tha Zoran Zaev, kryeministër.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson se jo vetëm këto tre vende, por i gjithë rajoni, po pret shumë gjatë që dikush tjetër tu sigurojë një të ardhme më të mirë për ta. Rama thotë se është koha të bëjmë vetë diçka të mirë për veten tonë.

Ky nuk është një takim, që u zhvillua papritur dhe unë do të dëshiroja ta sqaroj se nuk ka për qëllim ndonjë ekskluzivitet, por një hap i ndërmarrë për të siguruar një proces të përgjithshëm gjithëpërfshirës dhe në deklaratë thuhet se ne po flasim për gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor përgjatë gjithë tekstit. Në vitin 2017 në mbledhjen e Procesit të Berlinit në Triestë, u pajtuam për një plan veprimi, për një zonë ekonomike rajonale, por dy vjet pas asaj marrëveshje, nuk ndodhën shumë gjëra, që të ndodhë integrimi “-pohoi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i kënaqur me takimin. Nëse bashkërisht veprohet në fusha të shumta, sipas tij do të nënkuptojë ndryshimin e imazhit të investitorëve. Një rajon më tërheqës nënkupton një jetë më të mirë, për të gjithë qytetarët në fqinjësi.

Qëllimi është rregullimi i marrëdhënieve për të stimuluar rritjen në rajon, uljen e papunësisë dhe veprimin së bashku. Ne do të heqim barrierat me grupe të veçanta dhe do të sigurojmë dhjetë herë më shpejt kalimin e kufirit të mallrave dhe njerëzve, ndërsa për kapitalin do të duhet kohë më e gjatë, por ne do ta bëjmë edhe atë“-theksoi Aleksandar Vuçiç, kryetar i Serbisë.

Ajo që u dakordua sot në Novi Sad, një mini-Shengen në rajon u njoftua dy javë më parë nga presidenti serb. Pjesa më e madhe e shoqatave të biznesit ishin të rezervuar, ose me qëndrime negative për këtë ide. Ata besojnë se ekonomia e vendit duhet të shkojë drejt botës së Evropës Perëndimore, e jo të grupohet në rajone.

Ile Petrevski

Loading...

Shpërndaj me

Loading...