Deri më tani nëntëmbëdhjetë shqiptarë kanë luajtur në Bundesligën gjermane, por ai ka qenë i pari: Altin Rraklli, aktualisht 47-vjeçar. Në vitin 1992, mesfushori shqiptar erdhi nga vendlindja e tij në ekipin e FC Freiburg, i cili bënte pjesë në Ligën e dytë gjermane. Atij nuk iu dashtë shumë kohë që të adaptohej në vendin dhe Ligën e re. Pas rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, një shok i veti i kishte preferuar që të shkojë në Freiburg, ku pas një ushtrimi njëjavor, nënshkroi kontratën me SC Freiburg. Megjithëse në Shqipëri nuk kishte ushtruar fizikisht sa nevojitej në Bundesligë, ai shpejt e arriti formën e duhur dhe u angazhua në Ligën e dytë. Më vonë luajti edhe për Hertha, Haching dhe Regensburg, ndërsa në vitin 2009 e përfundoi karrierën e vet.

Por, ku gjendet tani Altini? Ai jeton në Aue, ku jeton edhe e motra e cila është e martuar me ish futbollistin profesionist Skerdilaid Curri. Për „Bild“ Altini deklaron: „Me gjithë dëshirë do të punoja si trajner pasi e kam licencën më të lartë të trajnerit. Por, problemi në Gjermani është se këtu ka shumë trajnerë të mirë. Për këtë arsye, për mua është shumë e vështirë të gjej ndonjë punë“, përcjellë „Shtegu.com“.

Altini jo vetëm që do të angazhohej në futbollin e meshkujve, por do të angazhohej edhe në futbollin e femrave, pasi është një ndër bashkëthemeluesit e futbollit të femrave në Shqipëri dhe ishte trajneri i parë i Kombëtares shqiptare të futbollit për femra.

Për pesë vite me radhë, që nga viti 2011, Altini e kishte formuar një ekip, duke kërkuar futbolliste nëpër Europë e SHBA. „Natyrisht se nuk mund të barazohemi me kombëtaret e mëdha të futbollit femëror, por mos harroni se në kualifikimet për Kampionatin botëror kemi fituar ndeshjen kundër Greqisë“, vazhdon mëtutje Altini, duke nënvizuar se në mes të Greqisë dhe Shqipërisë ekziston një rivalitet i madh në të gjitha sferat.

Një theks të veçantë Altini i ka dhënë pjesëmarrjes së Kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian të futbollit në vitin 2016.

Por, ai është skeptik: „Pasi Hans-Peter Briegel në vitin 2002 e mori në duar Kombëtaren shqiptare, situata u përmirësua. Ai u përkujdes për një kthesë në futboll, duke sjellë disiplinë të madhe në ekip“.Tani, futbollit shiptar është duke iu kanosur rreziku për të humbur futbollistë të rëndësishëm. „Shumica e futbollistëve shqiptarë nga Kosova më me dëshirë do të luanin për Kosovën. Ata do të na mungojnë. Presioni i konkurrencës në Kombëtare tashmë nuk është edhe aq i madh“, ka nënvizuar Altini.

Por, Altini tashmë është në kërkim të vazhdimit të karrierës si trajner futbolli në Gjermani, duke vizituar shumë ndeshje dhe duke krijuar lidhje të reja. Me një deklaratë të zjarrtë, ai përfundon: „Dua të dëshmoj se çfarë mund të bëj si trajner“.

Të rrallë janë futbollistët si Altini, i cili në klubin e ri startoi me shumë sukses: Në katër ndeshjet e tij të para për Freiburgun në vitin 1992, sulmuesi gjithnjë futej në lojë pas një ore të ndeshjes, duke shënuar tre gola.

Pas përfundimit të sezonit, ai në konton e tij numëronte 16 gola të shënuar, duke kaluar edhe në Bundesligë. Aty dhuroi një spektakël të vërtetë kundër ekipit të Wattenscheid që e fituan me rezultat 4:1 dhe me dy gola të shënuar Altini pothuajse i vetëm e mundi kundërshtarin.

Bilanci i përgjithshëm i Altinit në Bundesligë: 111 ndeshje (16 gola), 171 ndeshje të Ligës së dytë (42 gola).

Përpos me Freiburgun, Altini arriti të inkuadrohet në Bundesligë edhe me Haching (1999), ndërsa me KF Tiranën ishte kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë. (Shtegu.com)

Loading...

Shpërndaj me

Loading...