Zëvendëskryeministrja Radmilla Sheqerinska mohoi se ka qenë në vizitë tek Boki 13, duke shtuar se nuk duhet të komentohet çdo gënjeshtër që përpiqen ta kamuflojnë krimin, por t’i hapet rruga prokurorisë për të kapur kriminelët e vërtetë. Sheqerinska tha se dy të akuzuarit Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski tani më janë në paraburgim, por shtoi se rasti “Reket” duhet të zbardhet deri në fund. Sipas saj, askush nuk do të ketë mburojë politike ndërsa kërkoi përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirit në këtë rast.

Ne treguam se që nga i pari deri tek i fundit nuk jemi të mbrojtur, dëshmuam se askënd nuk e mbrojmë, por se kemi lejuar, lejojmë dhe mundësuar që të gjitha institucionet të kryejnë një hetim të plotë për të mos shpëtuar askënd apo për të mos mbrojtur askënd. Ligji vlen njëjtë për secilin prej nesh. Ne të gjithë u japim përkrahje dhe presim që prokuroria dhe të gjitha institucionet tjera ta kryejnë punën e tyre. Askush nga ne nuk do të presë dhe nuk do të marrë mbrojtje politike- deklaroi Radmilla Sheqerinsk.

Ndërkaq, opozitarja e VMRO DPMNE-së sot para godinës së Prokurorisë Themelore i bëri thirrje sërish organit të akuzës që ngrejë akuza edhe për porositësit dhe mbështetësit e kësaj zhvatje. Zëdhënësi Naum Stoilkovski tha se dora e zgjatur e pushtetit mbi sistemin e drejtësisë ka mundësuar këtë reket dhe se Prokuroria edhe 1 muaj pas arrestimeve të para po e ngadalëson ecurinë e hetimit.

Zoran Zaev dhe mafia e tij shtetërore kanë kidnapuar çdo pjesëz të Maqedonisë. Zoran Zaev me mafian qeveritare mban lidhje me Boki 13. Zoran Zaev nuk nxit hetime për përgjimet e Prokurorisë Publike pas meje. Zoran Zaev sistemon gjykatës dhe porosit procese gjyqësore. Mafia shtetërore duhet urgjentisht të nxirret para drejtësisë- pohoi Naum Stoilkovski, Zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

Zëvendëskryeministrja Shekerinska i bëri thirrje partisë opozitare VMRO DPMNE që nëse duan me të vërtet t’i japin përkrahje proceseve të euro-integrimeve dhe sundimit të ligjit, atëherë të përkrahin Ligjin për Prokurori, i cili sipas saj do të miratohet së shpejti në Kuvend.

Dy ditë më parë, Presidenti Stevo Pendarovski bëri thirrje për përgjegjësi politike. E për këtë kërkesë të kreut të shtetit, Shekerinska tha se kjo Qeveri është e vetmja që nuk do të bëj kompromis me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë.

Adnan Qaili

 

 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...