Banorët e Maqedonisë së Veriut, 37,8 për qind të të ardhurave të tyre mujore i shpenzojnë për ushqim, tregon hetimi i agjencisë ruse “RIA Rejting”, me të cilën janë përfshirë 40 shtete evropiane në bazë të të dhënave nga shërbimet statistikore nacionale për vitin 2019.

Kundrejt kësaj, banorët e vendit, sipas analizës, shpenzojnë katër për qind të të ardhurave për cigare dhe alkool, 3.6 për qind të të ardhurave në restorante, kafiteri dhe vetëm 1.8 për qind për kulturë dhe rekreim.

Hulumtimi tregon se me 37.8 për qind të të ardhurave mujore të shpenzuara për ushqim, vendi renditet në vendin e 37-të në listë, përpara Moldavisë (43.8 për qind), Kazakistanit (47.6 për qind) dhe Ukrainës (50 për qind). Në krye të listës me përqindjen më të ulët të kostove të ushqimit është Luksemburgu (8.4 për qind), përpara Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar (10.6 për qind), Irlandës (11.5 për qind) dhe Finlandës (11.7 për qind).

Nga vendet e rajonit, më mirë e renditur është Sllovenia në vendin e 18-të me shpenzime për ushqim prej 15.4 për qind të të ardhurave totale, Greqia e 22-ta (20.2 për qind), Turqia 23-ta (20.3 për qind) , Kroacia në vendin e 29-ta (28.2 për qind), Mali i Zi është në vendin e 30-të (29.7 për qind), Serbia është e 34-ta (34.3 për qind) dhe Bullgaria është një vend përpara vendit tonë, gjegjësisht e 37-ta (37.8 për qind).

Në kategorinë e shpenzimeve për cigare dhe alkool, Maqedonia e Veriut me 4.0 për qind e ndan vendin e 34-të me Lituaninë dhe Turqinë, e ndjekur nga Ukraina (4.1 për qind), Serbia (4.9 për qind), Bullgaria ( 5.0 për qind) dhe Rumania (8.2 për qind). Në krye është Luksemburgu me 1.3 për qind të shpenzimeve totale për cigare dhe alkool, përpara Portugalisë, Qipros dhe Moldavisë (1.6 për qind) dhe Spanjës dhe Gjermanisë (1.7 për qind). Sllovenia është në vendin e 12-të (2.1 për qind), Kroacia është e 24-ta (2.9 për qind) dhe Greqia dhe Mali i Zi e ndajnë vendin e 29-të me nga 3.7 për qind secila.

Për sa i përket përqindjes së të ardhurave mujore të shpenzuara nëpër restorante, kafene dhe hotele, vendi është në vendin e 11-të me 3.6 për qind. Rumania dhe Moldavia kryesojnë me 1.9 për qind, përpara Bjellorusisë (2.8 për qind) dhe Kroacisë dhe Ukrainës (2.9 për qind), pasuar nga Spanja (9.9 për qind), Greqia. (10.8 për qind) dhe Zvicra (11 për qind). Për Bullgarinë dhe Suedinë nuk ka të dhëna në këtë kategori, ndërsa nga vendet e tjera të rajonit Serbia është e gjashta (3.1 për qind), Mali i Zi i 12-të (4.0 për qind), Sllovenia është në vendin e 19 me katër vende të tjera me nga 5.7 për qind.

Maqedonia e Veriut e ndan pozicionin me zëvendëskampionen Kazakistan me 1.8 për qind në kategorinë e shpenzimeve të kulturës dhe rekreacionit. Para vendit tonë është vetëm Moldavia me 1.5 për qind, e ndjekur nga Ukraina (2.1 për qind) dhe Turqia (2.9 për qind). Pesë vendet e fundit në listë i kanë zënë Gjermania (10.3 për qind), Islanda 11.1 për qind, Austria (11.5 për qind), Britania (15 për qind) dhe Zvicra (18.7 për qind). Nga vendet e rajonit, Mali i Zi është i gjashti (3.3 për qind), Greqia është e dhjeta (4.7 përqind), Serbia është e 12-ta (5.1 për qind), Kroacia është në vendin e 14-të me Spanjën (5.5 për qind), Bullgaria është e 17-ta (5.9 për qind) dhe Sllovenia është e 29-ta (13 për qind).

Shqipëria, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova nuk janë përfshirë në hulumtim./mia

Loading...

Shpërndaj me

Loading...