Borxhet e vjetra të komunave prej rreth 120 milionë euro do të shlyhen me kredi të re që Qeveria do ta marrë në emër të vetëqeverisjeve lokale. Qeveria tashmë ka filluar negociata me kreditorët ndërkombëtarë dhe vendor. Vendimtare se ku do të marrë kredi shteti është norma e interesit.

Shteti të marrë kredi dhe t’ua jep komunave që t’i paguajnë detyrimet e tyre ndaj furnizuesve dhe ajo është rreth 120 milion euro, ndërsa kredinë do ta kthejnë komunat brenda 15-20 vjetëve. Presim nga 2 deri në 3% normë të interesit që në krahasim me 13% që sot e paguajnë komunat si kamatë vonesë që janë për shkak të borxheve. Ne besojmë se kështu do t’i shkarkojmë dhe do të mund të ketë përparim në të ardhmen – tha Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë.

Sipas analizave paraprake, 95 për qind e borxhit të komunave është ndaj ndërmarrjeve vendore. Kjo do të thotë se rreth 100 milionë euro do të përfundojnë në llogaritë e kompanive. Që komunat të mos hyjnë në borxhe të reja, pasi t’i shlyejnë borxhet e tanishme, Qeveria planifikon mekanizëm mbrojtës. Zaev për Alsat M tha se të ardhurat nga TVSH -ja që i kanë komunat do të jenë garanci. Nga Ministria e Pushtetit Lokal megjithatë, thonë, që kryetarët e komunave të mos grumbullojnë borxhe të reja, është e mundshme aktivizimi i revizioneve të brendshme që do ta kontrollojnë punën e tyre. Por, edhe me Ligjin për Financim të vetëqeverisjeve lokale parashikohet edhe ndërmarrje të një roli të stabilizimit, nëse konstatohet paqëndrueshmëri financiare të komunave. Nga Qeveria thonë se stabilizim plotësues i komunave do të mundësohet me atë që disa komuna do të munden vetë të menaxhojnë me tokën ndërtimore shtetërore.

Ky sistem e lehtëson dhe përshpejton të gjithë procedurën, që nga paraqitja e kërkesës e deri në shënimin e të drejtës së pronësisë në Kadastër – u shpreh Goran Sugareski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Deri më tani, 46 komuna kanë marrë matë të drejtë për menaxhim me tokë ndërtimore shtetërore. Ata morën kompetenca pa kërkuar pëlqimin e Qeverisë për t’i zgjidhur procedurat për legalizimin e ndërtimeve pa leje në tokë shtetërore, dhe me këtë të mundësojnë derdhje më të madhe të parave nga taksat e pronës. Në periudhën e ardhshme është planifikuar që komunat vetë të menaxhojnë me shtëpitë e kulturës, vetë të ndërtojnë dhe të revitalizojnë institucione arsimore, qendrat shëndetësore për kujdes preventiv, menaxhim me pyjet dhe tokën bujqësore, ndërsa do të duhet që vetë të ndërtojnë rrugë lokale dhe rajonale.

Verica Pavllovska

Shpërndaj me