Realizimi i projekteve kapitale dështoi. Në tremujorin e parë të këtij viti u shpenzuan mezi 30 milion euro në investime kapitale. Kjo është vetëm 7.4 për qind nga 392 milionë euro, siç parashikohej për tërë vitin 2018. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, realizimi ishte shumë më i mirë – 82 milionë euro ose 18 për qind e fondeve të parashikuara për projektet kapitale. Ekspertët thonë se situata nuk është ende alarmante, por apelojnë për planifikim afatmesëm dhe jo afatshkurtër.

A duam që tani të kemi investime në Shkupi 2014, apo duam të kemi një lloj tjetër të investimit kapital, do të ndërtojmë shkolla, do të ndërtojmë spitale ose do të ndërtojmë autostrada dhe hekurudha. Kjo është një çështje prioritare dhe unë do të preferoja këto shpenzime kapitale më afatgjate madje edhe me koston e fillimit të realizimit më të ngadaltë … Andaj është shumë e rëndësishme, sidomos te projektet kapitale, planifikimi të jetë së paku tre vjeçar dhe jo të jetë planifikuar për një vit – tha Blagica Petreski, Drejtor Ekzekutiv i “Finance think”.

Ministri i Financave Dragan Tevdovski, konfirmoi se kishte një dështim në shpenzimet kapitale në fillim të vitit, dhe beteja kryesore, siç tha ai, është si të përshpejtohet realizimi i tyre, sepse të hollat janë siguruar.

Përpjekja jonë, bëjmë presion mbi të gjithë, për ti realizuar investimet kapitale. Siç kam thënë, të ardhurat tona janë të përshtatshme me parashikimet, ne kemi likuiditet absolutisht të shkëlqyeshëm. Beteja kryesore është që të kemi realizim më të mirë të investimeve kapitale – u shpreh Dragan Tevdovski, Ministër i Financave.

Të dhënat për zbatimin e buxhetit në tremujorin e parë tregojnë se shteti ka shpenzuar 50 milionë euro më shumë se sa ka mbledhur në arkën e shtetit. Të ardhurat e përgjithshme arrijnë në 705 milionë euro, dhe më e mira është mbledhja e taksave, ku në muajin mars janë mbledhur 30 milionë euro më shumë se që është planifikuar. Shpenzimet totale në tre muajt e parë arrijnë në 765 milionë euro, dhe pjesa më e madhe e parave në muajin mars janë shpenzuar për transferimet sociale.

Aleksandra Spasevska

Shpërndaj me