Aktivistë të Nismës Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit, të përkrahur edhe nga organizata tjera jo qeveritare, kanë shprehur revoltën e tyre kundër lënies pas dore të kësaj qendra duke bllokuar rrugën që shpie në këtë pikë turistike. Drejtuesit e Nismës këmbëngulin që Kodra e Diellit t`i merret nga menaxhimi ELEM-it, ndërsa Qeveria ta japë atë me koncesion.

Qeveria menjëherë të shqyrtojë mundësinë për koncesionimin e Kodrës së Diellit, ndërtimin e teleferikut Tetovë – Kodra e Diellit, me të gjitha elementet e nevojshme infrastrukturore, parking dhe hapësirat e duhura për vizitorët. Kontrolle për realizuesin e punëve të ski liftit me gjashtë ulëse, i cili u kushtoi 9.5 milion euro nga taksat e qytetarëve dhe gropës së hapur për rezervuarin e ujit i cili kinse do shërbente për akumulimin e ujit për borën artificiale. Dhe ndër kërkesat tona kryesore është që përfundimisht, kompanisë ELEM t`i merren kompetencat për menaxhimin me qendrën turistike Kodra e Diellit”- tha Hamdi Sulejmani nga nisma Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit.

Lënia pas dore e Kodrës së Diellit, më së tepërmi ka dëmtuar skiatorët profesionistë dhe shkollat e skijimit.

Shumë vite kam qenë në reprezentacionin e Maqedonisë, e kam përfaqësuar në Slloveni, në Itali, mirëpo momentalisht nuk kanë mbetur as edhe klube skicimi për momentin atje lartë, pra është një katastrofë e madhe”-pohoi Vildan Gafuri, skiatore profesioniste.

Kjo është një nismë e mirë dhe besoj do të shkojë në veshë të duhur dhe do bëhet diçka për Kodrën e Diellit. E kanë lënë në harresë, unë jam ca vite lart, besoni askush një poç elektriku nuk kanë ndërruar, asgjë s`bëhet lart”- deklaroi Arfi Ziberi, aktivist.

Mos të them keqpërdorimi, por mos interesimi jo vetëm i Qeverisë së tashme por edhe më parë, jo vetëm që nuk kanë investuar por edhe kanë penguar që Kodra e Diellit të zhvillohet”- thotë një nga protestuesit.

Aktualisht në Kodrën e Diellit shfrytëzohen vetëm 8 për qind e kapaciteteve turistike që ka kjo qendër. Nga gjithsej 110 kilometra shtigje për skijim që ofron kjo qendër, vetëm 12 kilometra shfrytëzohen.Protesta pritet të vazhdojë edhe ditëve të tjera, nëse Qeveria nuk reagon ndaj kërkesave të protestuesve.

Bashkim Sulejmani       

 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...