Ekonomia e vendit në vitin 2017 ishte zero. Të dhënat zyrtare nga Enti Shtetëror për Statistikë tregojnë se ekonomia e Maqedonisë ka stagnuar dhe vitin e kaluar prodhimi i brendshëm bruto ishte baraz me zero. As plus, e as minus. Përskaj këtij rezultati dështues, nga Qeveria janë optimist dhe shpresojnë ta ringjallin ekonominë me Planin për rritje ekonomike. Megjithatë, kjo ende nuk ka kaluar në qeveri, dhe do të ketë nevojë të marrë dritën e gjelbër nga Parlamenti, i cili aktualisht është bllokuar për shkak të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sërish doli me apel deri te ligjvënësit.

Unë jam në bisedë të vazhdueshme me kryetarin dhe pasi Ligji për mbështetje financiare të investimeve të miratohet në Qeveri, dhe kjo do të jetë të martën, unë do të doja, kam biseduar dhe kam gatishmëri nga ana e kryeparlamentarit, ky ligj të vihet në rendin e ditës sa më shpejt. Ligji votohet me 61 vota – deklaroi ministëri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Biznesmenët nga Oda e Maqedonisë veriperëndimore besojnë se 40 – milionë denarët që i ka dhënë qeveria për të ndihmuar ekonominë janë të mjaftueshme. Por kërkojnë formimin e një organi mbikëqyrës të procesit të subvencionimit, si dhe sanksionimin e atyre që do të bëjnë abuzime.

Nga Oda kërkojnë që aplikacionet për marrjen e ndihmës shtetërore të jenë të thjeshta për plotësim, me kushte që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ti plotësojnë dhe ti përdorin. Risia është se në Planin për Zhvillim Ekonomik parashikohet pjesë e veçantë me të cilën do të tërhiqen mërgimtarët të investojnë në vendin tonë. Bekteshi ende nuk e di nëse edhe për këtë pjesë do të kërkojnë dritë jeshile nga parlamenti nëpërmjet votimit apo përmes vendimit të Qeverisë të përfshihet në Ligj.

Verica Pavlloska

Shpërndaj me