Zgjidhja e problemit me importin e miellit të Serbisë në Maqedoni pritet prej takimit të paralajmëruar midis ministrit të Bujqësisë, Lupço Nikollovski dhe ministrit serb të Tregtisë, Rasim Ljaiq i cili sot duhet të vijë në Shkup.

Nga kabineti i ministrit serb kumtuan se nëse sot nuk arrihet zgjidhje rreth këtij kontesti, Serbia do të vendosë kundërmasa ndaj Maqedonisë të cilat, siç theksojnë, tashmë janë veçmë janë përgatitur.

Ministri Nikollovski, deklaroi se “nuk është në dijeni për paralajmërimet për kundërmasa nga Serbia”, por se janë në kontakt të vazhdueshëm dhe se bisedimet për gjetjen e zgjidhjes vazhdojnë.

Opsion i pranueshëm për Maqedoninë, theksoi Nikollovski, është që pullat kontrolluese për import të një, dy dhe pesë kilogramëve miell të ngjiten në Serbi, ndërsa për paketimet prej 25 dhe 50 kilogramëve në Maqedoni në pajtim me Rregulloren e re.

“Gjendja e krijuar me importin e miellit nuk do të shkaktojë mungesë të miellit në treg dhe rritje të çmimit të miellit”, pohon Nikollovski, duke përsëritur se qëllimi është që të respektohet Rregullorja e cila më herët ka ekzistuar dhe se me atë do të zvogëlohet çmimi i pullave kontrolluese dhe shkurtohen procedurat administrative.

Aktivitetet e ndërmarra, sipas tij, janë në bazë të argumenteve të cilat kanë treguar se ka dallim prej 25.000 tonëve në miellin e importuar dhe pullat e dhëna të kontrollit.

“Një janë numrat zyrtarë për import të cilat i jep Drejtoria Doganore, ndërsa të tjera janë ato të cilat i jep Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, ndërsa krejtësisht të tjera janë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave për pulla të dhëna kontrolli. Kemi dallim prej 25.000 tonë për të cilët nuk janë dhënë pulla kontrolli, ndërsa Drejtoria Doganore thotë se kanë hyrë në kufi”, deklaroi Nikollovski.

Siç sqaroi, importuesit në kërkesën për tërheqjen e Rregullores, përveç argumentit për ngjitjen e pullave, reagojnë se duhet ta respektojnë pjesën për deponim të miellit në depot për import.

“Parashtrohet pyetja se pse atëherë ekzistojnë depo nëse atje nuk deponohet mielli dhe shkon drejtpërdrejt në shitje, dhe nëse gjysma shitet, ndërsa për gjysmën marrim analiza dhe cili qytetar do të jetë i sigurt nëse blen miell për të cilin nuk ka analiza. Negociatat dhe bisedimet do të vazhdojnë në këtë drejtim”, tha Nikollovski.

Problemi me importin e miellit serb u paraqit pasi Maqedonia, më 8 shkurt të këtij viti, i vendosi ndryshimet në Rregulloren ekzistuese. Me ndryshimet urdhërohet që mielli të shënohet me pulla pas distribuimit të tij dhe kontroll të plotë në vend, e jo para se të mbërrijë në Maqedoni, nga eksportuesit.

Serbia reagoi sepse konsideron se Maqedonia po vendosë barriera, që nga ana e Maqedonisë mohohet dhe se përmendet se kushtet për import edhe deri më tani kanë qenë të njëjta, vetëm ka ndryshuar radhitja e tyre dhe duhet të respektohen. 

Shpërndaj me