Në oborrin e Qeverisë së Kosovës mëngjesin e sotëm është zbuluar pllaka memoriale në nderim të viktimave të sulmit të 11 shtatorit 2011 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kossnet zbuluan këtë pllakë në të cilën është gdhendur logoja e Qeverisë së Kosovës dhe fjalët “Kosovo Remembers” dhe “Kosova kujton” si dhe datat 11 shtator 2011.

Në fjalën e tij, Haradinaj tha se para 18 vitesh edhe Kosova e përjetoi rëndë sulmin mbi popullin mik të Amerikës.

“Kosova kujton cdo vit të rënët e kësaj ditë dhe bashkëndjejmë me Amerikën dhe këtë ditë do e kthejmë në traditë në nderim të çdo 11 shtatori të çdo viti. Para se të fillojmë punën do i nderojmë ata që ranë në sulmet e 11 shtatorit sepse i konsiderojmë si tanët sepse Amerika është garanci për sigurinë në botë”, tha Haradinaj.

Ndërsa ambasadori amerikan, Philip Kossnett, tha se është nder kur Kosova nderon viktimat e 11 shtatorit.

“Pas sulmit një pjesë e madhe e Kosovës u solidarizua me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe në kohën që ishte, duke ndezë edhe qirinj për ne. Kosova vazhdon memorialet për këtë ditë. Çdo vit në Prishtinë Policia e Kosovës dhe tani më Ushtria e saj ngrisin flamurin anë e kënd kudo për këtë ditë duke nderuar viktimat e sulmit në ShBA”, tha Kossnett.

Pas zbulimit të pllakës memorialë Haradinaj dhe Kossnet si dhe personalitete të tjera që morën pjesë në këtë ceremoni bënë homazhe.

Ndryshe, rreth 3 mijë viktima humbën jetën në sulmin terrorist më 11 shtator 2001.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...