Portugalia ka shpartalluar Lituaninë me rezultatin tenistik 6-0. Kampionët në fuqi të Europës kanë shfaqur një formë fantastike në shtëpi duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm për kualifikimin. Megjithatë, lufta me Serbinë do të jetë e fortë teksa edhe ballkanasit e kanë fituar sfidën e tyre ndaj Luksemburgun me rezultatin 3-2. Kristiano Ronaldo ka luajtur për 90 minuta, megjithëse tek Juventusi pretendojnë se është i dëmtuar, dhe legjenda e Portugalisë ka shënuar një tripletë spektakolare duke vajtur në kuotën e 98 golave me përfaqësuesen. Golat e tjerë janë shënuar nga Pacienca, Pizi dhe Bernardo Silva.

Edhe Anglia ka bërë spektakël ndaj Malit të Zi, duke fituar me rezultatin 7-0 në “Uembli” të Londrës. Anglezët kanë siguruar kualifikimin për në Europian teksa Çekia ka mposhtur Kosovën e cila nuk ka më asnjë shans të kapë kryesuesit. Hari Kejn ka shkëlqyer për vendasit me tripletën e tij që në pjesën e parë. Golat e tjerë janë shënuar nga Okslade-Çemberlejn, Rashford dhe autogoli i Sofranac.

Franca ka rrezikuar goxha, por në fund ka dalë me një fitore 2-1 nga Stade de France ndaj Moldavisë. Ishin miqtë ata që befasuan me golin e tyre në fillim të sfidës, por golat e Varane dhe Giroud me penallti kanë përmbysur gjithçka. Me këtë fitore, Franca ngjitet në vend të parë të grupit H, ku bën pjesë edhe Shqipëria, me dy pikë më tepër se vendi i dytë ku ndodhet Turqia.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...