Pas fëmijës së katërt, Lisa Wilkie ndjeu se mund t’i lejonte vetes paksa kirurgji plastike.

Duke ndjerë se barra e rëndë e të paturit fëmijë i kishte pushtuar trupin, ajo la një takim për të diskutuar zmadhimin e gjoksit. Pas asaj ndërhyrjeje në vitin 2017, 34-vjeçarja Wilkie filloi gjithashtu trajtimin me Botox çdo 12 javë për rreth dy vjet.

“Thjesht dëshiroj të ndihem mirë,” thotë ajo. “Tani është pjesë e rutinës sime.”

Gratë e mijëvjeçarit të ri po paraqiten në klinikat e kirurgëve plastikë për një sërë ndërhyrjesh dhe trajtimesh. Disa prej tyre kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë, shumica kërkojnë “rinim” ose ato që Akademia Amerikane e Plastikës Faciale dhe Rikonstruktive i quan trajtime joinvazive si Botox apo shtresa kimike që më shumë kanë për qëllim ngadalësimin e pasojave të plakjes sesa korrigjimin e tyre.

Sipas rezultateve të një studimi të botuar më 23 janar, 72% nga 110 pjesëmarrës të grupeve të anketuara, raportuan një rritje të numrit të ndërhyrjeve plastike apo injeksioneve në pacientë nën moshën 30 vjeç.

Pesë vjetë më parë, sipas këtij grupi të të anketuarve, ky shifër arrinte në 58%.

Sipas parashikimit të këtij grupi, për të ardhmen kujdesi për mirëmbajtjen e hershme do të vazhdonte të rritej tek 20 dhe 30-vjeçarët.

“Po shohim gjithnjë e më shumë gra të reja që kërkojnë thjesht metoda parandaluese,” thotë kirurgu plastik me aktivitet në Çikago, Gregory Wiener.

Një studim i vitit 2018 me rreth 2,000 pjesëmarrës i organizuar nga RealSelf, një faqe interneti dedikuar atyre që mendonin të kryenin ndërhyrje plastike, zbuloi se këta të fundit ishin prindër ose femra të moshës 18 deri në 34 vjeç.

Sipas kirurgëve plastikë shqetësimi më i madh i pacientëve ka të bëjë me arritjen e një pamjeje sa më natyrale.

Të njëjtën gjë kërkon edhe Lisa Wilkie. Ajo dëshiron “diçka modeste por edhe të dallueshme, që njerëzit të kuptojnë por jo të jenë në gjendje të specifikojnë ndryshimin në fjalë.”

Femrat vazhdojnë të mbeten pacientet më të shpeshta; 86% e procedurave kryhen mbi to sipas Akademisë së Kirurgjisë Plastike. Ndërhyrjet më të zakonshme ishin rinoplastika apo plastika korrigjuese – ndërhyrje kirurgjikale për korrigjimin e një ndërhyrjeje të mëparshme për shkak të pakënaqësisë së pacientit apo nevojës – dhe blefaroplastika, një ndërhyrje në kapakët e syrit.

Për sa u përket trajtimeve më të shumtat kishin të bënin me Botox, mbushje apo trajtime lëkure me shtresa kimike, mikrodermoabrazion apo lazer. Për burrat trajtimet më të zakonshme ishin ato me Botox, mbushje, trajtime lëkure dhe rinoplastikë.

Atëherë përse gratë e mijëvjeçarit të ri janë në kërkim të kirurgëve plastikë?

Rrjetet sociale luajnë një rol jo pak të rëndësishëm sipas kirurgëve dhe e njëjta gjë vlen edhe për të famshmit si Kylie Jenner, të cilët pranojnë hapur mbushjen e përkohshme të buzëve. Rreth 97% e kirurgëve të anketuar u shprehën se të famshmit ndikojnë më së shumti në kirurgjinë plastike të fytyrës. Në Instagram, ata tregojnë buzë të rregulluara dhe foto veshjesh intime. Gjatë lundrimit në rrjetet sociale mund të gjesh selfie në zyrat e mjekëve dhe falënderime për përmirësimet në pamje, si dhe foto përpara dhe pas ndërhyrjeve.

Wiener thotë se pacientët shpesh i tregojnë selfie dhe i thonë se kur i postojnë nuk u pëlqejnë aspak ajo që shohin.

“Njerëzit më thonë se para ekzistencës së rrjeteve sociale ata i shihnin fotot e tyre, por jo kaq shpesh,” tregon ai.

Përgjithësisht njerëzit nuk ishin të hapur në lidhje me kryerjen e ndërhyrjeve plastike. Rrjetet sociale duket se i shtyjnë vajzat e reja të mos i fshehin aspak ato.

“Tashmë nuk është aspak tabu, dhe kjo vlen edhe për ndërhyrjet kirurgjikale,” thotë Wiener. Botoxi dhe mbushësit sipas tij tani thjesht shihen si përkujdesje e arsyeshme.

Shumë mund ta shohin kirurgjinë plastike si një mënyrë e mirëmbajtjes dhe kujdesit personal. Lara Devgan, kirurge plastike me aktivitet në Nju Jork si dhe mjekja kryesore e faqes RealSelf është e mendimit se femrat praktikojnë rutina përkujdesjeje si parandalimi i plakjes dhe mirëmbajtja. Ato kërkojnë “baby Botox,” sipas saj, për t’u dukur “më mire por jo ndryshe.”

Por, për çfarë ndërhyrjesh plastike mund të ketë nevojë një 20-vjeçar? Phillip Langsdon, president i akademisë, thotë se këtë pyetje mjekët duhet ta marrin seriozisht.

“Ne nuk trajtojmë çdo njeri thjesht sepse paraqitet dhe e dëshiron ndërhyrjen,” thotë ai.

“Duhet të jemi tej mase përzgjedhës me atë moshë, sepse shumë të rinj mund të mendojnë se u nevojitet ajo që shohin në një foto të një personi tjetër në internet.”

Ai thotë se mjekët duhet të marrin në konsideratë çfarë u duhet personave, pritshmëritë e tyre dhe nëse dëshirat e tyre janë të arsyeshme.

Në disa raste ai do t’i konsideronte me kujdes kërkesat e të rinjve. Nëse dikush prej tyre do të kishte buzë të holla me një formë që do mund të përfitonte nga mbushësit, ai do ta kryente procedurën. Gjithashtu ai mund të realizojë kërkesën për Botox për një 30-vjeçar me rrudha të theksuara në ballë. Por ai është shumë i kujdesshëm në diskutimin e pritshmërive dhe përputhjen e procedurës me rezultatin.

Mjeku i plastikës, Manish Shah paralajmëron nën 30-vjeçaret: mos e teproni, pasi më vonë mund të dukeni më të plakura.

”Fillerat (mbushësit) i hollojnë më vonë buzët dhe ju do të dukeni më e moshuar dhe më e rrudhosur”, shton ai.

Këshillat e tij? Bllokim i rrezeve të diellit, vitaminë C, të ngrënë të shëndetshëm dhe heqje dorë nga cigarja.

Për Wilkie, ndjenja e të çuarit nga gjumi dhe dukja e freskët nuk e kanë humbur magjinë e tyre.

“Më shumë duhet të parandalojmë sesa të ndodhë dhe të themi: ok, le ta rregullojmë këtë gjë”, thotë ajo.

”Sidoqoftë, nuk ekziston ende një formulë e gatshme”, përfundon Wilkie/ (Nga Alison Bowen, Chicago Tribune).

Loading...

Shpërndaj me