Bosnja dhe Hercegovina shënon 23 vjetorin e Masakrës së Srebrënicës ku forcat serbe kishin vravrë mbi 8 mijë burra dhe djem mysliman në korrik të vitit 1995. Në qendrën memoriale Potoçari në Bosnjë sot janë rivarrosur edhe 35 viktima të gjenocidit. Deri më tani mbi 6,500 trupa janë zhvarrosur nga varret masive dhe janë rivarrosur në Potoçari. Një foshnjë disa muajshe dhe një grua 99 vjeçare janë viktima më e vjetër dhe më e mitur të cilat deri më tani janë varrosur. Në manifestimin e sotëm kanë mbërritur 177 autobusë dhe më shumë se 2000 vetura me njerëz të cilët kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore. Gjykata e Hagës dhe gjykatat vendore në Bosnjë, Serbi dhe Kroaci kanë dënuar 45 vetë me 699 vjet burg – plus tre dënime me burgim të përjetshëm – për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të tjera kundër boshnjakëve në Srebrenicë në korrik 1995. Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Hagës e dënoi me burg të përjetshëm edhe ish komandantin e shtabit kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiq. Në rrjedhë janë edhe disa procese të tjera gjyqësore mbi gjenocidin në Srebrenicë por ekzistojnë edhe raste të pa procesuara. Sic raportohet, së paku nëntë persona të dyshuar për gjenocid dhe vepra të tjera të kryera në Srebrenicë, me qëllim që t’i ikin dënimit, janë arratisur në Serbi dhe Bosnjë ku jetojnë në liri edhe përkraj përzierjes së tyre në masakër. Masakra e Srebrenicës u cilësua si akti më i keq i gjenocidit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Srebrenica ishte shpallur zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara, por ruhej vetëm nga një numër i vogël i paqeruajtësve holandezë, që nuk qenë në gjendje t’i mbrojnë civilët e strehuar atje.

Vjollca Aliti

Shpërndaj me