Nisma e një grupi deputetësh për të anuluar vendimin që të punësuarit e moshës së shtyrë të vazhdojnë punën edhe për tre vjet pasi të kalojnë pragun e pensionimit më së shumti mund të prek fushën e arsimit të lartë dhe të shëndetësisë, thonë ekspertët. Shifrat flasin se ky ndryshim në Ligjin për marrëdhënie pune do t’i përfshijë mbi 20% të të punësuarve në arsim, të cilët janë nga 56-64 vjeç dhe me moshë të njëjtë të punësuarit në shëndetësi, të cilët arrijnë mbi 24%. Sipas profesorit Izet Zeqiri, kjo nismë është e nxituar.

Shqetësimi më i madh është në arsimin sipëror sepse këtu aktualisht 6 universitete publike dhe 13 private me 57 mijë studentë, gjithsej kemi 1470 profesorë, respektivisht vetëm 894 janë profesorë ordinarë. Duke marrë për bazë moshën e këtyre që janë të angazhuar dhe pjesa dërmuese janë nga 56 deri në 64 vjet rrezikojmë që universitetet të ngelin pa profesorë. Posaçërisht është shqetësuese sepse kuadri arsimor universitar nuk krijohet brenda natës- deklaroi Izet Zeqiri, Profesor Universitar.

Nga Ministria e Arsimit thonë se nuk posedojnë një numër të grup moshave të të punësuarve në fushën e arsimit të lartë në nivel vendi. Ndërkohë sipas Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në sektorin e arsimit në total ka mbi 4 mijë të punësuar, të cilët janë në prag të moshës 62 vjeçe për femrat, përkatësisht 64 vjeç për meshkujt. Nga ana tjetër shëndetësia është fusha e dyta që do të preket nga kjo masë. Shifrat e Institutit të Shëndetit Publik, tregojnë se mbi moshën 55 vjeçe aktualisht të punësuar janë 2.216 mjekë dhe specialistë.

Instituti i Shëndetit Publik

“Nga mosha 62 deri 67 vjeçe mjeke dhe specialiste femra janë 551 të punësuara, kurse nga mosha 64 deri 67 vjeç mjekë dhe specialistë meshkuj janë 171 të punësuar në të gjithë territorin e vendit.”

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se me këtë draft ligj kanë për synim që të freskojnë sektorin publik dhe atë privat, në mënyrë që kuadrove të reja të kualifikuara tu jepet mundësia për të hyrë tre vjet më herët në tregun e punës. Këtë ide e përkrahin edhe disa ekspertë tjerë të fushës.

Përderisa kjo masë ka të bëjë për punësime të reja në sektorin e administratës publike mund të arsyetohet si pozitive, megjithatë duhet të lihet fleksibilitet që punëdhënësit të vendosin për profesionet deficitare të jepet mundësia që konform stazhit pensional të mund t’i vazhdojnë marrëdhëniet e punës edhe për tre vite tjera- tha Neda Maleska, Analiste.

Në sektorin publik gjithsej janë 112.164 të punësuar, prej të cilëve 54% femra. Prej tyre 84 mijë janë maqedonas, 22 mijë shqiptarë dhe pjesa e mbetur i përkasin komuniteteve të tjera. Nga këta të punësuar 1.981 janë doktorë shkence, rreth 5 mijë magjistra, mbi 50 mijë me arsimim të lartë, mbi 38 mijë me shkollë të mesme, rreth 10 mijë me shkollë fillore, 350 pa shkollë dhe të tjerë.

Adnan Qaili                                                   

 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...