Pasi që dje DAP-i e publikoi mënyrën e re të dorëzimit të paraqitjes vjetore të tatimit, në opinion u shkaktuan reagime të ashpra. Sot, drejtoresha e Drejtorisë, Sanja Llukarovska tentoi të sqarojë se procesi nuk është i komplikuar. Pensionistët nëse nuk dinë, nuk duhet të mësojnë të punojnë në kompjuter, meqë mund të autorizojnë një person tjetër që në emër të tyre do të dorëzojë paraqitjen në mënyrë elektronike, shprehet Llukarevska, ndërsa në dispozicion i kanë edhe sportelet mobile të DAP-it. Dënime – shprehet – në vitin e parë nuk do të ketë, ndonëse ato janë të parashikuara në ligjin. Llukarevska nuk u përgjigj se sa është e lartë gjoba që do t’u shqiptohet qytetarëve që nuk do të dorëzojnë paraqitje elektronike, meqë siç tha, tani qenka koha për të folur vetëm për gjëra të bukura.

Të flasim për gjëra të bukura, të mos flasim për gjoba. Qytetari është i liruar nga plotësimi i paraqitjes, kjo do të jetë punë e DAP-it. Nëse deri tani DAP-i i kontrollonte paraqitjet vjetore të tatimit, prej tani qytetarët do ta kontrollojnë DAP-in- tha Sanja Llukarevska, drejtore e DAP-it.

Qytetarët që nuk kanë qasje në internet ose vendi ku jetojnë nuk është i mbuluar me rrjetë interneti, do të duhet personalisht të shkojnë në sportelet e DAP-it me personin që do ta autorizojnë dhe në emër të tyre ta pranojë paraqitjen. Nga Sektori për regjistrim dhe përcaktim të tatimit, shprehen se drejtoria duhet doemos të ketë ndonjë kontakt me të gjithë qytetarët të cilët marrin para mbi çfarëdo baze.

Nëse më parë qytetari vinte në DAP dhe tregonte dhe vërtetonte se këto janë të ardhurat e tij, në këtë rast DAP-i ka shërbim të ri ndaj qytetarëve ku u tregon se këto janë të ardhurat për të cilat DAP-i ka informacion se i ka realizuar qytetari, mirëpo qytetari duhet doemos të na thotë nëse këto të ardhura janë të sakta- tha Ivana Donçevska, udhëheqëse e sektorit për regjistrim dhe përcaktim të tatimit.

Rregullat e reja të DAP-it parashikojnë që të gjithë personat fizikë të cilët gjatë vitit kanë realizuar të ardhura, duke i përfshirë edhe ato që i kanë marrë si paga ose vetëm pension, do të duhet doemos deri në fund të vitit të regjistrohen në mënyrë elektronike në DAP në sistemin e ri, E-tatim personal. Të gjithë do të duhet të kenë adresa elektronike në të cilat, pasi të regjistrohen, do të marrin kërkesë që duhet ta dorëzojnë në sportelet e Drejtorisë, e cila më pas do t’i vërtetojë të dhënat.

Ile Petrevski

 

 

Shpërndaj me

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com