Zv/kryeministri Bujar Osmani mohon çdo lloj pune të paligjshme në periudhën kur ai ishte Ministër i Shëndetësisë, për të cilin PSP hapi një hetim nën emrin “Pacienti”. Ekipi i Janevës dyshon se Osmani ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë zbatimit të procedurave. Osmani pohon se ka punuar sipas ligjit dhe interesave të qytetarëve dhe pret që të sqarohen sa më shpejt që është e mundur, siç thotë ai, dilemat rreth përfshirjes së tij në abuzime.

Për disa vite janë paraqitur këto spekulime për disa abuzime të dyshimta në Ministrinë e Shëndetësisë dhe unë isha një nga ata që këmbëngulën për një hetim. Nëse i ndiqni paraqitjet e mia publike, unë gjithmonë kam kërkuar që sa më shpejtë të hapen hetimet, sepse nuk ka nevojë të qëndrojnë vazhdimisht si njollë dhe dyshim për punën time. Edhe partia ime ka kërkuar hetim për çdo zyrtar që nga viti 2002, unë jam i kënaqur që ky hetim përfundimisht është hapur, roli i të cilit është t’i vërtetojë faktet. Pres që sa më shpejtë dhe në mënyrë më efikase të përfundojë-deklaroi Bujar Osmani.

Për Kryeministrin Zoran Zaev, hapja e një hetimi për Osmanin, nuk do të nxitë përgjegjësi,duke thënë se do të presë për një vendim të plotfuqishëm.

Qëndrimi im ka qenë gjithmonë i njëjtë. Askush nuk është fajtor përderisa ajo të vërtetohet me një vendim të plotfuqishëm, dhe sigurisht ky është vetëm një hetim, do të dëshiroja t’i dija hollësitë, do ta ndjek procesin me kujdes dhe do të veproj në kohën e duhur nëse diçka lidhet me dinjitetin e Qeverisë- tha Zoran Zaev.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga kryeministri Zaev të shkarkojë Bujar Osmanin. Qeveria sipas ASH-së nuk është kredibile dhe se shkarkimi i Osmanit dhe ministrave tjerë të dyshuar për korrupsion duhet të hapë rrugën për krijimin e një qeverie teknike që do t’i kishte numrat e nevojshëm për të kaluar reformat kushtetuese të nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe realizimin e barazisë së plotë të komuniteteve në vend, përpara se vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

 Aleanca për Shqiptarët

Pas kësaj aktakuze, Bujar Osmani nuk e ka legjitimitetin moral për të udhëhequr agjendën e integrimit evropian e as strategjinë e qeverisë për të zbatuar prioritetet e reformave urgjente të BE-së që rrjedhin nga Marrëveshja e Përzhinos, të cilat janë kryesisht të lidhura me reformën e sektorit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Për më tepër, qëndrimi i tij në detyrë do të dëmtonte seriozisht pavarësinë e gjyqësorit, duke pasur parasysh nivelet e larta të ndërhyrjes politike në gjyqësor të theksuara në të gjitha vlerësimet e pavarura, së fundmi nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Lidhur me gjashtë hetimet e reja që dje i publikoi Specialja, ku mes tjerash të dyshuar janë Nikolla Gruevski, Zoran Stavreski, Igor Janushev dhe Zharko Llukovski, reaguan nga VMRO DPMNE-ja opozitare. Për ta, kjo paraqet realizimin e planit B të kryeministrit Zaev, për të cilin, siç thonë “kërkon ndihmë nga vasalët e tij në Prokurorinë Speciale” që të frikësohet opozita përmes ndjekjes së porositur politike duke abuzuar institucionet.

Paraqitja e djeshme e Speciales është edhe një vërtetim se Maqedonia nuk është më shtet juridik. Nuk ekzistojnë as ligjet e as Kushtetuta. Katica Janeva lexon emra dhe vet i gjykon. Katica Janeva vet i cakton seancat, i dikton proceset dhe i përmend gjykatësit që nuk i përshtaten. Zoran Zaev porosit lëndët dhe tregon cila masë apo vendim është e ashpër apo e butë. Kështu funksionon rezistenca partiake- politike me të cilën duhet të thyhet rezistenca maqedonase- tha Dafina Stojanoska- anëtare e Komitetit ekzekutiv të VMRO DPMNE-së.

Në hetimet e reja të Speciales thuhet se të dyshuarit në lëndët ngarkohen për dëmtim financiar të buxhetit të Maqedonisë për 80 milionë euro.

Alsat

Loading...

Shpërndaj me