Në shtator apo tetor ju mund të bëni disa ditë pushimesh në Europë, për të vizituar ndonjë qytet, i cili bëhet edhe më i bukur me rënien e gjetheve në vjeshtë apo një fundjavë në kërkim të pakëz çmendurie dhe… birrave!

Nëse keni qenë në Oktoberfest në Mynih, këtë vit ndryshoni destinacion dhe shkoni në Cannstatter Volksfest në Shtutgart apo në Herbstfest në Rosenheim. Këto festa të birrës përfaqësojnë alternativa të vlefshme për Oktoberfest.

Për shkak të numrit më të ulët të turistëve të huaj, atmosfera që krijohet është autentike dhe ju mund të zbuloni anën më tipike të kësaj tradite të madhe popullore.

Për shkak të dimensioneve më të vogla të Cannstatter Volksfest dhe Herbstfest, ju mund ta shijoni më shumë atmosferën, pa qenë e nevojshme të prisni në një radhë të gjatë në kapanonet e ngritura në Mynih në oraret e pikut. Zbuloni më poshtë Oktoberfest alternativë ndaj Mynihut, për të kaluar një fundjavë të mrekullueshme ose disa ditë të paharrueshme…

 

Cannstatter Volksfest në Shtutgart

Ndër alternativat më të mira të Oktoberfest në Mynih është Cannstatter Volksfest i famshëm në Shtutgart, i cili këtë vit do të festojë edicionin e tij të 174-të. Origjina e kësaj feste birre daton në vitin e largët 1817, kur perandori i Gjermanisë, Wilhelmi I, për të ngritur moralin e fshatarëve pas një viti të vështirë për shkak të të korrave të dobëta, vendosi të organizojë disa ditë me festime në një livadh të madh pranë qytetit, Wasen në Cannstatt.

Që prej asaj kohe, mes shtatorit dhe tetorit, të gjithë qytetarët e Shtutgartit mblidhen në Wasen për të kaluar disa ditë kushtuar këngëve, kërcimeve, kuzhinës së mirë, birrës. Simboli i festës, ende sot mbetet Fruchtsäule, një kolonë me fruta, 24 metra e lartë, që të kujton origjinën e festës, nga fshati.

Fruchtsäule

Në Cannstatter Volksfest ngrihen 10 kapanonë kryesorë, që ofrojnë, në varësi të dimensioneve, 3 mijë deri në 8 mijë vende për t’u ulur. Rregullorja e kësaj feste birre, parashikon që ju mund ta porosisni birrën vetëm kur të jeni të ulur në një tavolinë, në mënyrë që të mos krijoni rrëmujë.

Datat e Cannstatter Volksfest në Shtutgart: 27 shtator – 13 tetor
Vendi ku zhvillohet Cannstatter Volksfest në Shtutgart: Cannstatter Wasen, përgjatë anës lindore të lumit Neckar.

 

Çfarë të vizitoni në Shtutgart

Jubilaumssaule

Nëse keni dhe dy-tre ditë në dispozicion ju këshillojmë të vizitoni qendrën elegante dhe piktoreske të qytetit të Shtutgartit dhe sheshin Schlossplatz, i cili dominohet nga Jubilaumssaule, që daton në vitin 1841, Pallati i Ri dhe Kështjella e Vjetër, që daton në shekullin X.

Kështjella Solitude

Një tjetër atraksion interesant në qytet është edhe Kështjella Solitude, njëherë e një kohë rezidencë private e dukës së Württemberg, ku mund të bëni një shëtitje në kopshtet e bukur që e rrethojnë dhe Mercedes-Benz Museum, një vend të cilin, të gjithë ata që janë të pasionuar pas makinave, nuk duhet ta humbin kurrsesi.

Mercedes-Benz Museum

 

Herbstfest në Rosenheim

Një tjetër festë e rëndësishme e birrës në Gjermani është Herbstfest në Rosenheim, një ndër qytetet kryesore të Bavarisë së Epërme, rreth 60 kilometra në juglindje të Mynihut. Origjina e Herbstfest në Rosenheim, ashtu si për Oktoberfest të tjerë gjermanë, është e lashtë dhe nga fshati. Por vetëm në vitin 1925 kjo festë nisi të planifikohej në mënyrë më të organizuar.

Herbstfest në Rosenheim zhvillohet në Loretowiese, një park publik ku montohen tenda. Më e madhja dhe më e rëndësishmja është Flötzinger Festzelt, një luna park tipik. Ndër momentet më të bukura të Herbstfest është parada e hapjes me kostume, që nis nga stacioni dhe përfundon në zonën ku zhvillohet konkursi Miss Herbstfest.

Datat e Herbstfest në Rosenheim 2019: 31 gusht – 15 shtator
Vendi ku zhvillohet Herbstfest në Rosenheim: Loretowiese, një park publik në qendër të qytetit

 

Çfarë të vizitoni në Rosenheim

Pjesëmarrja në Herbstfest në Rosenheim mund të jetë një rast i mirë për të vizituar këtë qytet të bukur gjerman. Zemra e Rosenheim, me ndërtesat tipike, është Max-Joseph-Platz, sheshi kryesor, ndërsa simbol i qytetit është Kisha e bukur e Sankt Nikolaus, në stilin gotik të vonë.

Max-Joseph-Platz

Kisha Sankt Nikolaus

Nëse keni kohë në dispozicion dhe e doni natyrën, ju këshillojmë të shkoni në liqenin Chiemsee, rreth 40 kilometra larg Rosenheim. Ky liqen karakterizohet nga prania e një ishulli ku ngrihet pallati madhështor Herrenchiemsee.

Pallati Herrenchiemsee

 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...