Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski porositi autoritetet që mos të shpejtojnë me reformat tatimore. Ai  konsideron që duhet të shtyhet afati për tatimin e fitimeve kapitale. Azeski  mban qëndrimin se më shumë efekte negative nga kjo masë do të kishin qytetarët, por është i sigurt që edhe një pjesë e kompanive do t’i ndjejnë efektet.

“Mendoj se duhet të anulohet, në situatë siç jemi duhet të përdoren të gjitha mekanizmat për stimulimin e aktivitetit ekonomik dhe për këtë mendoj se është më mirë të anulohet”-tha Branko Azeski, kryetar i Odës ekonomike.

Deklaratat hezituese, së pari të zv/kryeministrit Koço Angjushev dhe më pas të ministres së re të Financave, Nina Angellovska, për atë nëse fitimet kapitale do të tatohen nga 1 janari i vitit të ardhshëm, vazhduan edhe sot. Angellovska argumenton se qëndrimet e zbutura të qeverisë për këtë çështje nuk janë vardisje parazgjedhore. Angellovska konfirmoi se ajo do të takohet me përfaqësuesit e Bursës së Maqedonisë dhe Komisionit të Letrave me Vlerë dhe do të shqyrtojë kërkesën për të shtyrë tatimin e të ardhurave të realizuara, nga shitja e letrave me vlerë. E pyetur se kush do ta ketë fjalën e fundit, ajo thotë:

“Fjala e fundit do të jepet nga të dhënat. Siç thonë ata – përpara fakteve dhe perënditë heshtin”-pohoi Nina Angelovska, ministre e financave.

Reforma tatimore e vitit 2020 parashikon tatimin e fitimit të kapitalit, dividendëve, kursimeve bankare, qirave dhe fitimeve të lojërave të fatit me një normë prej 15 për qind. Ose më saktë, 15% do të tatohen në fitimet e depozitave me afat mbi 15.000 denarë. Qëndrimi i Qeverisë për tatimin progresiv, nga ana tjetër, është se do të mbledhë më shumë para në arkën e shtetit dhe do të zvogëlojë pabarazinë midis të pasurve dhe të varfërve. Sipas listës anketuese, ministrja e re ka kursime bankare prej rreth 300.000 euro, dhe zv / kryeministri Angjushev afro 3.8 milion euro.

Ile Petrevski

Loading...

Shpërndaj me

Loading...